Bombardime të rënda janë raportuar në Irpin, një qytet në pjesën veriperëndimore të Kievit, ku ushtria ruse është përpjekur të depërtojë ditët e fundit.
Sipas BBC një numër i madh civilësh kanë ikur përmes një ure të improvizuar që përshkon një lumë, pasi ura e vjetër është shkatërruar nga sulmet e forcave ruse.
Irpini shtrihet pranë aeroportit të Hostomel, të cilin rusët e sulmuan disa ditë më parë, si dhe pranë autokolonës ruse të automjeteve të blinduara, e cila ka bërë përparim drejt kryeqytetit ukrainas.
Që prej fillimit të pushtimit rus, liderët botërorë i kanë dalë kundër presidentit rus Vladimir Putin, duke i kërkuar që të tërhiqet nga lufta, si dhe e kanë goditur me sanksione të ashpra. Ukraina është në ditën e 10-të të luftës, ndërkohë autoritetet thanë sot se Rusia nuk po respekton armëpushimin në qytete, masë që u vendos në raundin e dytë të bisedimeve mes dy delegacioneve.