Arjan Toçi, një person i njohur në rrjetet sociale si "Sheiku i Durrësit" është shfaqur në media tre ditë pas arrestimit nga Policia e Tiranës dhe shprehej se efektivët e kishin dhunuar. Për këtë, ky shtetas pretendonte se nuk ishte në gjendje të qëndrueshme psikike.
Mirëpo, Policia e Tiranës ka dalë me një reagim zyrtar për rastin dhe mohon që mbi Arjan Toçin të jetë ushtruar dhunë. Ky shtetas u arrestua për posedim dhe shitjeve të bombolave me azot.
Lexo edhe: VIDEO/ Reklamonte bombolat me azot në “TikTok”, arrestohet “Sheiku i Durrësit”
"Ky shtetas është ndaluar nga shërbimet e Policisë, më datë 22.09.2023, dhe më datë 23.09.2023, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore", njofton Policia.
Më tej, Blutë e Tiranës theksojnë se gjatë qëndrimit në ambientet e Bllokut të Sigurisë, "Sheiku i Durrësit" është trajtuar konform ligjit dhe të gjitha rregullave, madje dhe vetë ky shtetas ka shfaqur sjellje normale.
"Gjatë kohës së qëndrimit në këtë ambient, ky shtetas ka shfaqur sjellje normale dhe kur është larguar nga aty, ka falënderuar punonjësit e Policisë, për korrektësinë dhe shërbimin që i kanë ofruar", përmbyllet njoftimi zyrtar i Policisë së Tiranës.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë
Në lidhje me një video të postuar ditën e sotme, në portalin "JOQ", në të cilën shfaqet një shtetas që deklaron se është dhunuar nga Policia, ju sqarojmë se:
Pretendimet e shtetasit Arjan Toçi, që shfaqet në video, nuk janë të vërteta.
Ky shtetas është ndaluar nga shërbimet e Policisë, më datë 22.09.2023, dhe më datë 23.09.2023, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore".
Gjatë qëndrimit në ambientet e Bllokut të Sigurisë, shtetasi A. T. është trajtuar konform ligjit dhe të gjitha rregullave sipas Procedurës Standarde Nr. 925, të datës 18.07.2019. Gjatë kohës së qëndrimit në këtë ambient, ky shtetas ka shfaqur sjellje normale dhe kur është larguar nga aty, ka falënderuar punonjësit e Policisë, për korrektësinë dhe shërbimin që i kanë ofruar.