Hapësire reklamuese

Bota

SHBA: Të hënën në dispozicion 2 milionë pajisje testimi për koronavirusin

Shkruar nga Newsbomb

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar të paktën 19 vdekje dhe për përhapje të COVID-19 në më shumë se 30 shtete.

Në një postim në twitter Presidenti Donald Trump shkruante se "kemi një plan koordinimi të përsosur dhe të rregulluar mirë në Shtëpinë e Bardhë për të luftuar virusin".

"Ne morëm shumë herët vendim për të mbyllur kufijtë në zona të caktuara. Nënpresidenti po bën një punë të shkëlqyer. Media e lajmeve të rreme po bën gjithçka që është e mundur për të na bërë të dukemi keq. Kjo është e trishtë", shkruante ai.

Në shtetin e Virxhinias, që ndodhet shumë pranë kryeqytetit të vendit, autoritetet besojnë se kanë zbuluar një rast të dytë me koronavirus. Një banor i qytetit të Fairfeks rreth të 80-ve dyshohet të jetë bartës i virusit. Ai kishte kryer së fundmi një udhëtim me anije turistike në lumin Nil. Lajmi u njoftua nga Departamenti i Shëndetësisë së Virxhinia të dielën në mëngjes. Pacienti është shtruar në spital dhe gjendja e tij paraqitet e qëndrueshme. Rasti i parë në këtë shtet u regjistrua të shtunën kur një anëtar i forcave të marinës që ndodhen të vendosura në Fort Belvoir, rezultoi i prekur nga virusi.

Agjencia e lajmeve "Reuters" njoftoi se të paktën dy punonjës federalë të shëndetësisë të cilët shërbenin në Aeroportin Ndërkombëtar të Los Anxhelosit rezultuan të prekur nga koronavirusi. Ata do të qëndrojnë karantinë deri më 17 Mars. Agjensia e lajmeve njoftoi gjithashtu se shumë prej punonjësve federalë, kanë kërkuar të ndryshojë protokollet zyrtare dhe të kenë maska më të forta për t'u mbrojtur nga virusi.

Anija turistike "Grand Princess" e goditur nga shpërthimi i koronavirusit pritet të ankorohet në Oakland të Kalifornisë të hënën. Anija qëndron në det prej javës së kaluar për shkak se autoritetet në San Françisko nuk pranuan ta lejojnë atë që të ankorohet. Në anije ndodhen më shumë se 3.500 pasagjerë përfshirë dhe ekuipazhin.

Autoritetet amerikane të shëndetësisë u bënë thirrje njerëzve, veçanërisht të moshuarve ta "mendojnë dy herë një udhëtim në det apo ajër" në një përpjekje për të kufizuar rrezikun e ekspozimit ndaj koronavirus.

Jerome Adams, numri dy Komisionit të Shërbimit Shëndetësor Publik tha për CNN-in se deri të hënën SHBA do të ketë në dispozicion dy milionë komplote testesh për koronavirusin.

Të dielën Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se 100 vende në të gjithë botën kanë raportuar raste me koronavirus me më shumë se 106 mijë persona të prekur dhe një numër vdekjesh që ka tejkaluar 3.500 vetët.

"Ndërsa situata është shumë serioze, kjo nuk duhet të na dekurajojë", tha drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.

"Ka shumë gjëra që të gjithë kudo mund dhe duhet të bëjnë", shtoi ai.

Zoti Tedros vlerësoi Italinë për "ndërmarrjen e hapave të guximshëm që synojnë të ngadalësojnë përhapjen e koronavirusit e të mbrojnë vendin".

"Ata po bëjnë sakrifica të mëdha", tha ai duke shtuar se OBSH-ja solidarizohet me Italinë dhe se do ta mbështesë atë.

Irani njoftoi të dielën njoftoi se 49 vetë kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit në 24 orët e fundit, duke çuar numrin e vdekjeve në 194. Ndërkohë në vendin e Lindjes së Mesme llogariten 6.566 raste personash të prekur nga COVID-19. /VOA

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu