Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Bota

SHBA-ja propozon rezolutë për armëpushim të përkohshëm në Gazë

Shkruar nga Newsbomb
SHBA-ja propozon rezolutë për armëpushim të

Shtetet e Bashkuara propozuan një projekt-rezolutë në Këshill të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që bën thirrje për armëpushim të përkohshëm në luftën midis Izraelit dhe Hamasit - grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera.

Sipas tekstit që pa agjencia e lajmeve Reuters, dokumenti kundërshton edhe një ofensivë të madhe tokësore që Izraeli po planifikon në Rafah të Gazës jugore.

Uashingtoni, deri më tash, nuk e ka përdorur fjalën armëpushim në ndonjë veprim të OKB-së sa i përket luftës Izrael-Hamas.

Megjithatë, drafti i bën jehonë gjuhës që presidenti amerikan, Joe Biden, tha se ka përdorur javën e kaluar në bisedat me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Drafti i tekstit të SHBA-së “përcakton se në rrethanat aktuale, një ofensivë e madhe tokësore në Rafah do të rezultonte me dëme të tjera për civilët dhe me zhvendosjen e tyre të vazhdueshme, duke përfshirë potencialisht edhe në vendet fqinje”.

Izraeli ka nisur luftën në Gazë, pasi militantët e Hamasit, që e kontrollojnë këtë enklavë, kanë sulmuar më 7 tetor Izraelin, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë pengje qindra të tjerë.

Sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë, mbi 28.000 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite.

Uashingtoni tradicionalisht mbron aleatin e tij, Izraelin, nga veprimet e OKB-së. Që nga 7 tetori, ai u ka vënë veto dy rezolutave të Këshillit të Sigurimit.

Megjithatë, ka abstenuar dy herë, duke i mundësuar Këshillit të miratojë rezoluta që synonin t'i rrisnin ndihmat për Gazën dhe bënin thirrje për pauza urgjente dhe të zgjatura humanitare.

Në dhjetor të vitit të kaluar, më shumë se tri të katërtat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që përbëhet prej 193 anëtarësh, votuan për armëpushim të menjëhershëm humanitar.

Rezolutat e këtij organi nuk janë detyruese, por kanë peshë politike, pasi reflektojnë pikëpamjet globale për luftën.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, prej kohësh ka bërë thirrje për një armëpushim humanitar në Gazë.

Shefi i ndihmës i OKB-së, Martin Griffith, paralajmëroi javën e kaluar se operacionet ushtarake në Rafah “mund të çojnë në masakra”./Rel/

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese