Hapësire reklamuese

Politikë

SHBA e bën fakt: Shqipëria është partneri ynë dhe vendi lider i Ballkanit Perëndimor!

Shkruar nga Newsbomb
SHBA e bën fakt: Shqipëria është partneri ynë dhe vendi

Sekretari Amerikan i Shtetit, i cili është dhe numri dy i kabinetit të Joe Biden, Antony Blinken, gjatë vizitës së zhvilluar të enjten që lamë pas, transmetoi mesazhin dhe qëndrimin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndaj Shqipërisë.

Ndonëse nën zë e ka thënë gjithmonë që vendi ynë është udhëheqëse në Ballkanin Perëndimor, Blinken e shprehu qartë gjatë kësaj vizite se Shqipëria është vendi lider në Ballkan dhe partnere e fortë e aleatëve strategjikë.

“Shqipëria është lider në Ballkanin Perëndimor, një aleat i NATO-s dhe një partner i forte”, tha Sekretari Amerikan i Shtetit, duke pozicionuar kështu vendin tonë në krye të listës së vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe duke lënë kështu mbrapa Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën , Malin e Zi dhe Bosnja dhe Hercegovinën.

https://twitter.com/SecBlinken/status/1758188663110853051

Këtë mesazh Blinken e dha gjatë takimit me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj. Së fundmi, Departamenti Amerikan i Shtetit ka zbardhur më tepër nga diskutimet që Sekretari Blinken zhvilloi me kreun e shtetit, Bajram Begaj.

Në fokus të këtij takimi kanë qenë marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Shqipërisë si dhe mbështetjen që Amerika po i jep vendit tonë për reformën në drejtësi , rrugën drejt Bashkimit Europian si dhe në shumë fusha të tjera.

Presidenti Begaj e ka falenderuar Sekretarin për atë çfarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bëjnë, ndërsa Blinken ka theksuar se SHBA është mirënjohëse për këtë partneritet dhe se sfidat mund t’i përballojnë vetëm së bashku.

Biseda gjatë takimit mes Bajram Begajt dhe Antony Blinken:

SEKRETARI BLINKEN: Faleminderit shumë, zoti President. Është një privilegj.

PRESIDENTI BEGAJ: Një kënaqësi e madhe.  Faleminderit.

SEKRETARI BLINKEN: Faleminderit.

PRESIDENTI BEGAJ: Është shumë mirë që ne mund të tregojmë se partneriteti ynë strategjik është më i fortë se kurrë.

PRESIDENTI BEGAJ: Unë jam mirënjohës për atë që po bëni për Shqipërinë, për Kosovën dhe në rajon. Dhe, natyrisht, nuk mund të lë pa përmendur se ju keni bërë kaq shumë për demokracinë shqiptare, për shtetin e së drejtës, për reformën në drejtësi, për mbrojtjen e sigurinë, dhe sigurisht për ekonominë dhe arsimin. Dhe mund t'ju siguroj se Shqipëria është e përkushtuar të jetë gjithmonë me ju, dhe sigurisht, ne do të jemi një kontribuues për sigurinë rajonale dhe globale.

SEKRETARI BLINKEN: Këtë e shohim çdo ditë. Ky është një partneritet dhe ne jemi mirënjohës për të. Ne e dimë se kaq shumë nga sfidat që ka secili prej nesh, ne mund t'i përballojmë në mënyrë më efektive së bashku, jo vetëm. Dhe kështu që ne të kemi miqësinë, partneritetin , kanë qenë 101 vjet marrëdhënie diplomatike, por vitet e fundit veçanërisht ne kemi parë forcën e partneritetit në shumë fusha të ndryshme. Pra është një kënaqësi e madhe.

PRESIDENTI BEGAJ: Është një mesazh i fortë që po mbështesni Shqipërinë, politikën e jashtme shqiptare dhe sigurisht të ardhmen e Shqipërisë, rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

SEKRETARI BLINKEN: Po.

PRESIDENTI BEGAJ: Dhe këtë jam i sigurt dhe e shoh këtë vizitë si një të ardhme të ndritur për Shqipërinë dhe partneritetin tonë. Partneriteti strategjik do të jetë për më shumë qindra vjet që do të vijnë, kështu që do të kemi kohë të festojmë.

SEKRETARI BLINKEN: Është një dëshirë shumë, shumë e mirë.

PRESIDENTI BEGAJ:  Faleminderit.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vizitoi ditën e djeshme për herë të parë Shqipërinë. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, hartuan një plan të detajuar masash, për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë kësaj vizite.

Në Tiranë u bllokuan një sërë rrugësh dhe më shumë se 1.000 efektivë të Policisë së Shtetit nga të gjitha repartet u angazhuan  për sigurinë maksimale të Sekretarit Amerikan të Shtetit, duke përfshirë efektivë të reparteve speciale, FNSH, RENEA dhe ata të Forcës Kombëtare të Sigurisë.

Blinken u takua me presidentin Bajram Begaj, me kreun e SPAK, Altin Dumanin si dhe më pas me kryeministrin Edi Rama.

Gjatë takimit me Ramën Blinken tha se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë janë më të fuqishme se “kurrë më pare”. Gjithashtu, ai  e falënderoi Shqipërinë për rolin e saj në NATO, si dhe për mbështetjen e Ukrainës dhe dënimin e agresionit rus.

Siç e dini, Shqipëria ka qenë nga dita e parë mbështetëse e fuqishme e Ukrainës. Ishte ndër vendet e para që i dërgoi municion Ukrainës, armë, municion dhe automjete rezistente ndaj minave. Tani është në top 10 vendet për kokë banori që e mbështet Ukrainën ”, tha Blinken, ndërkohë nga ana tjetër kryeministri Edi Rama e cilësoi vizitën e Sekretarit si  “ditë të shënuar”  për Shqipërinë.

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është anëtar i degës ekzekutive të qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara dhe kreu i Departamentit të Shtetit të SHBA. Mbajtësi i detyrës është anëtari i dytë më i lartë i kabinetit të presidentit, pas Zëvendës Presidentit, dhe renditet i katërti në linjën e trashëgimisë presidenciale të Shteteve të Bashkuara; i pari ndër sekretarët e kabinetit.

Sekretari i Shtetit përfaqëson Shtetet e Bashkuara në vendet e huaja, dhe për këtë arsye konsiderohet i ngjashëm me një ministër të punëve të jashtme në vende të tjera.

Ai, së bashku me Sekretarin e Thesarit, Sekretarin e Mbrojtjes dhe Prokurorin e Përgjithshëm, përgjithësisht konsiderohen si katër anëtarët më të rëndësishëm të kabinetit për shkak të rëndësisë së departamenteve të tyre përkatëse në SHBA, shkruan newsbomb.al.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese