Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania, me mbështetjen e Australisë, Bahreinit, Kanadasë dhe Holandës, kanë sulmuar objektiat e përdorura nga grupi i rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen.
Presidenti Joe Biden, tha se ushtarët amerikanë së bashku me ata britanikë ndërmorën të enjten këtë sulm kundër anijeve ndërkombëtare në Detin e Kuq.
“Këto sulme janë në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj sulmeve të paprecedente nga (grupi) Houthi kundër anijeve ndërkombëtare në Detin e Kuq, përfshirë përdorimin e raketave balistike kundër anijeve për herë të parë në histori”, tha presidenti Biden gjatë një konference për shtyp.
https://www.youtube.com/watch?v=GKL4XTwHXgY
Ndër të tjera ai tha se nuk do të hezitojë të urdhërojë masa të mëtejshme për të mbrojtur njerëzit dhe tregtinë e lirë.
“Më shumë se 50 vende janë prekur nga 27 sulme ndaj anijeve tregtare ndërkombëtare. Ekuipazhet nga më shumë se 20 vende janë kërcënuar ose janë marrë peng në akte piraterie. Nuk do hezitoj të urdhëroj masa të mëtejshme”, tha ndër të tjera presidenti amerikan.
Lidhur me këto sulme reagoi edhe kryeministri britanik Rishi Sunak, i cili fajësoi grupin Houthin për një sërë sulmesh të rrezikshme dhe destabilizuese kundër anijeve tregtare në Detin e Kuq, duke kërcënuar kështu Mbretërinë e Bashkuar dhe anijet e tjera ndërkombëtare.
Ai e përfundoi deklaratën e tij duke u bërë thirrje anëtarëve të kësaj lëvizje islamike që të ndalojnë sulmet e ture dhe të ndërmarrin hapa për të de-përshkallëzuar.
Ndërsa, nga ana tjetër udhëheqësi Houthi, Mohammed al-Bukhaiti ka kërcënuar se SHBA dhe Britania e Madhe do të "kuptojnë së shpejti" se sulmet në Jemen "ishin marrëzia më e madhe në historinë e tyre".
Pamje gjate sulmit
"Amerika dhe Britania bënë një gabim në nisjen e luftës kundër Jemenit, sepse ata nuk përfituan nga përvojat e tyre të mëparshme. Çdo individ në këtë botë përballet me dy zgjedhje. Ose të qëndrojmë me viktimat e gjenocidit ose të qëndrojmë me autorët e tij”, tha ai.
Sulmet u kryen me raketa Tomahaëk të lëshuara nga anijet dhe avionë luftarakë, thanë zyrtarë amerikanë për agjencinë Associated Press. Objektivat ushtarake përfshinin qendra logjistike, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe depo armësh, thanë zyrtarët.
Sulmet ishin përgjigjia e parë ushtarake nga ana e Shteteve të Bashkuara ndaj fushatës së vazhdueshme të sulmeve me dronë dhe raketa ndaj anijeve tregtare që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
Sulmi i koordinuar ushtarak vjen një javë pasi Shtëpia e Bardhë dhe një numër vendesh partnere paralajmëruan rebelët Houthi se do të përballeshin me kundërpërgjigje ushtarake nëse nuk ndalonin sulmet.