
Kryeministri Edi Rama është zotuar sot para mësuesve se pagat e tyre do vazhdojnë të rriten derisa në një moment të mos kenë më asnjë diskutim mes tyre, nëse do të qëndrojnë në Shqipëri apo do të largohen për një jetë më të mirë.
Gjatë fjalës së tij në eventin për zhvillimin profesional të mësuesve, Rama theksoi se nevoja globale për kapital njerëzor po bëhet gjithnjë dhe më e fortë, ndaj qeveria e tij dhe gjithë aktorët e tjerë po bëjnë gjithçka për të rritur mbështetjen ndaj arsimit.
"Fuqia e tyre për kapitalin tonë njerëzor dhe vendeve si Shqipëria, është e madhe por ne nuk mundet dot të mos reagojmë në një mënyrë jotradicionale për të mbrojtur sa të mundemi kapitalin njerëzor, dhe për të fuqizuar kapitalin njerëzor sa të mundemi këtu në vendin tonë", tha ai.
Në muajt në vazhdim mësuesit pritet të përfitojnë një rritje të pagës, edhe përse vetë kryeministri evidentoi se kjo nuk është e mjaftueshme. "Pagat së shpejti, brenda pak muajsh për mësuesit do të shkojnë mesatarisht 950 euro, por nuk mjafton, prandaj ne duhet të reformojmë sistemin", vijoi ai.
Pjesë nga fjala e kryeministrit Edi Rama:
Kjo kohë nuk e ka vënë në pikëpyetje rolin e mësuesit. Përkundrazi, e ka vënë gjithmonë e më shumë në pah domosdoshmërinë për të fuqizuar sa më shumë mësuesin. T'u japim mësuesve sa më shumë forcë, motivim dhe aftësi për t'u përballur me atë që koha e sjell përpara sistemit arsuimor, me pamjen e fëmijëve të vegjël.
Për të mos u zgjatur shumë, dua të them që ne do të bëjmë gjithçka mundemi, të pamundurën, të rrisim mbështetjen e gjithanshme për shkollën dhe mësuesit.
Është një kohë, që ka filluar një luftë pa armë por shumë e egër për kapitalin njerëzor. Vendet më të zhvilluara, të cilat sot po përballen me fenomenin e pandalshëm të plakjes, dhe që janë në krye të trenit të Europës, janë investuar dhe do të investohen çdo vit e më shumë për të marrë kapital njerëzor nga të tjerët, ku të munden dhe sa të munden.
Fuqia e tyre për kapitalin tonë njerëzor dhe vendeve si Shqipëria, është e madhe por ne nuk mundet dot të mos reagojmë në një mënyrë jotradicionale për të mbrojtur sa të mundemi kapitalin njerëzor, dhe për të fuqizuar kapitalin njerëzor sa të mundemi këtu në vendin tonë. Në një kohë jo shumë të largët, mund të gjendemi në një situatë gati të pamundur.
Fokusi tek arsimi është jetik, sepse fatmirësisht nuk jemi më në kohën që ishim kur mësuesit ishin tërësisht të braktisur dhe të pambrojtur, kur vendi i secilit prej jush përcaktohej nga partia, sot jemi në një kohë tjetër kur çdo mësues e ka vendin e vetë të garantuar falë aftësisë së vetë dhe askush nuk e lëviz dot nga vendi.
Pagat së shpejti, brenda pak muajsh për mësuesit do të shkojnë mesatarisht 950 euro, por nuk mjafton, prandaj ne duhet të reformojmë sistemin.
Ne besojmë që mund t'ia dalim kësaj sfide. Është shumë e madhe, shumë e fortë por besojmë se ne mund t'ia dalim nëse e gjithë trupa drejtuese e sistemit arsimor vihet në dispozicion të kësaj sfide, duke kuptuar se çfarë peshe të jashtëzakonshme ka sot misioni i mësuesit.