Hapësire reklamuese

Aktualitet

Sesioni i ri parlamentar, Gramoz Ruçi bashkëbisedim me gazetarët

Shkruar nga Newsbomb

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët mbi analizën e sesionit të kaluar dhe prioritetet e sesionit të ri parlamentar.

Si arritjen më të madhe të sesionit të kaluar, Ruçi nënvizoi mbështetjen e reformës në drejtësi. Kuvendi miratoi tre ligje të reformës dhe institucionet e reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë po ngrihen, disa po plotësohen, një pjesë e tyre kanë filluar të funksionojnë. Vetting-u po vazhdon dhe Kuvendi ndjek ecurinë e këtij procesi, për shkak të detyrimeve për ngritjen e organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë. “Fakti që u konfirmuan vetëm 48% e subjekteve, provon nevojën substanciale të rindërtimit të sistemit të drejtësisë”, vuri në dukje Kryetari Ruçi.

Ruçi nënvizoi se sesioni i ri parlamentar do tu kushtohet tri prioriteteve, të cilat përbëjnë sfidat themelore në gjashtë muajt e ardhshëm.

“Ky sesion duhet dhe do të jetë sesioni i çeljes së negociatave dhe Kuvendi do të realizojë të gjitha objektivat për integrimin europian dhe do të nxis e kontrolloj qeverinë të përmbushë detyrat për çeljen e negociatave në qershor të këtij viti. Do të jetë sesioni i zhvillimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme në 30 qershor dhe Kuvendi do të marrë të gjitha përgjegjësitë për votimin e reformës zgjedhore dhe garantimin e standarteve të zgjedhjeve vendore. Do të jetë sesioni i kompletimit të organeve të sistemit të drejtësisë dhe Kuvendi do të krijojë të gjitha kushtet e marrë të gjitha masat për ngritjen e plotësimin në kohë të Gjykatës Kushtetuese, SPAK-UT, Byrosë Kombëtare të Hetimit, Gjykatave të posaçme dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Ne do të punojmë që këto sfida të realizohen në mënyrë komplementare dhe të përshpejtojnë njera-tjetrën”, përfundoi fjalën e tij Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.

Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit:

Mirëseerdhët.

Ju uroj një vit të ri të mbarë dhe të sukseshëm në punë e në familjet tuaja.

Mendova të takohemi për të bashkëbiseduar mbi arritjet e sesionit të kaluar dhe prioritetet e sesionit të ri parlamentar.

Më lejoni të bëj fillimisht një bilanc të veprimtarisë legjislative. 

Gjatë sesionit të kaluar zhvilluam 17 seanca plenare me 66 orë debat parlamentar.

Në Kuvend u depozituan 56 projektligje, ndër to 45 nisma të qeverisë, 11 nisma deputetësh.

Miratuam 58 ligje, nga të cilat 52 nisma të qeverisë dhe 6 nisma deputetësh.

22 ligje u miratuan me shumicë absolute, 36 me shumicë të thjeshtë, 2 ligje u kthyen për rishqyrtim nga Presidenti i Republikës.

Miratuam 48 vendime, nga të cilat 13 për zgjedhje/emërim; 2 emërim/shkarkim ministri; 5 miratim strukture institucioni; 1 rrëzim në parim të projektligjit; 27 për çështje të tjera.

Zhvilluam 43 orë diskutime, ndër to 38 orë mazhoranca e 5 opozita, dhe 302 diskutime, nga të cilat 257 mazhoranca e 45 opozita.

Në kuadër të kontrollit parlamentar, u zhvillua 1 interpelancë dhe 2 raportime vjetore të institucioneve të pavarura.

Qeverisë dhe institucioneve iu drejtuan 46 kërkesa për informacion, nga të cilat 17 nga mazhoranca dhe 29 nga opozita.

Në fillim të sesionit, unë drejtova thirrjen të ndajmë luftën për pushtet nga beteja e përbashkët për Europën e zbatojmë përvojën e parlamentit kroat, i cili miratoi me konsensus 683 ligje të përafrimit.

Kjo do të ishte arritur nëse  opozitën do ta kishim pasur në sallën e Kuvendit. Për shkak të kësaj mungese, nuk miratuam as reformën zgjedhore, një pjesë të akteve të reformës në drejtësi dhe akte të tjera të mbartura nga sesionet e mëparshme, si ligji për Magjistraturën, ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit 2018 të Komisionit Europian për Shqipërinë, rekomandimeve të GRECO-s etj.

Mbështetja e reformës në drejtësi është arritja më e madhe e sesionit të kaluar.

Detyrimet e Kuvendit për reformën në drejtësi konstatojnë në: i) Miratimin e ndryshimeve ligjore; ii) Ngritjen e plotësimin e institucioneve të reja të sistemit dhe mbështetjen e tyre me burimet e nevojshme; iii) Ndjekjen e ecurisë së Vettingut.

Gjatë Sesionit të kaluar Kuvendi miratoi tre ligje të reformës:

· Shtesat dhe ndryshimet në ligjin “Për ekzekutimin e vendimeve penale”;

·  Shtesat dhe ndryshimet në ligjin “Për avokaturën e shtetit”;

· Ligjin “Për noterinë”.

Komisioni i Ligjeve po shqyrton 2 projektligje e një projektvendim të reformës, të cilat do të miratohen gjatë këtij sesioni.

Institucionet e reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë po ngrihen,  disa po plotësohen, një pjesë e tyre kanë filluar të funksionojnë. 

Plotësimit të Gjykatës Kushtetuese iu hap rruga pas konstituimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Presidenti i Republikës, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë i kanë përcjellë kërkesat e kandidatëve Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi u konstitua në 7 dhjetor 2018.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë u konstitua në 19 dhjetor e po funksionon, duke ndërmarrë të gjitha hapat për ngritjen e SPAK-ut

Këshilli i Lartë Gjyqësor u konstitua në 20 dhjetor.

Komisioni i Pavarur pranë Kuvendit për koordinimin, monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” u konstitua më 5 nëntor 2018 dhe ka paraqitur disa raporte në Komisionin e Ligjeve.

Fillimi i punës së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, hapi rrugën për zgjedhjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Fillimi i punës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, hapën rrugën për zgjedhjen e SPAK-ut,Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Gjykatave të posaçme.

Kuvendi ndjek ecurinë e Vettingut, për shkak të detyrimeve për ngritjen e organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Deri  në fund të vitit 2018, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë vlerësime për 79 subjekte, prej të cilëve 34 u shkarkuan, 38 u konfirmuan dhe 7 u dorëhoqën. 

Komisionerët Publikë kanë ankimuar 16 vendime të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka dhënë 10 vendime përfundimtare.

Fakti që u konfirmuan vetëm 48% e subjekteve, provon nevojën substanciale të rindërtimit të sistemit të drejtësisë.

Kuvendi ushtron përgjegjësitë për integrimin europian në tri aspekte: i) garanton  legjitimitetin demokratik; ii) ushtron kontrollin ligjor; iii) siguron kontrollin politik të procesit.

Plani i Veprimit për Integrimin Europian ka përcaktuar 6 objektiva dhe 46 masa për periudhën maj 2018-prill 2019.

Deri  në fund të vitit 2018,  nga 46 masat,  23 janë realizuar, 14 janë në proces, 1 nuk është realizuar, 8 janë programuar për periudhën janar-prill 2019.

Roli legjislativ i Kuvendit dhe sigurimi i përputhshmërisë së ligjeve me standardet e BE-së janë forcuar dukshëm. Gjatë vitit 2018, Komisioni për Integrimin Europian propozoi 30 amendamente për 9 projektligje, të cilat u miratuan në seancë plenare.

Risi e vitit 2018 ishte hartimi dhe publikimi i Manualit “Mbi sistemin e kontrollit të përputhshmërisë së legjislacionit shqiptar me standartet e BE-së, në nivel parlamentar”.

Komisioni për Integrimin Europian zhvilloi 3 seanca dëgjimore: me Ministren e Drejtësisë, Zëvendëskryeministren dheMinistrin për Europën dhe Punët e Jashtme.

Janë përgatitur ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit mbi përafrimin e legjislacionit dhe kontrollin parlamentar për procesin e integrimit në BE.

Gjatë sesionit të kaluar, Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian ka realizuar:

· Prezantimin nga Kreu i Delegacionit të BE-së të gjetjeve e rekomandimeve të Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2018 dhe masat për zbatimin e tyre.

· Shkollën Europiane, e cila zgjeroi temat e trainimit dhe kategoritë e pjesëmarrësve. 

· Takimin me Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme mbi përgatitjet për negociatat e anëtarësimit.

Në 15 tetor 2018, u zhvillua në Bruksel takimi i 13 i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, i cili miratoi Rekomandimet për Këshillin e Stabilizim Asociimit, institucionet shqiptare dhe institucionet e Bashkimit Europian.     

Kontrolli parlamentar, si funksion thelbësor i Kuvendit, po fuqizohet.

Në fillim të sesionit të kaluar, deklarova se asnjë ministri dhe institucion i pavarur nuk do të mbetet jashtë kontrollit parlamentar.

Mekanizmi Ndërinstitucional i Monitorimit gjatë vitit 2018 ka dhënë rezultate të prekshme: 100, nga 200 rekomandime të institucioneve të pavarura, po zbatohen. 

Kontrolli ndaj institucioneve të pavarura ka vazhduar sipas programit.

Në 20 dhjetor 2018 u miratua Manuali i raportimit vjetor periodik të institucioneve të pavarura në Kuvend. 

Gjatë vitit 2018, Kuvendi miratoi 20 rezoluta mbi veprimtarinë e institucioneve të pavarura dhe në listën e institucioneve që raportojnë në Kuvend u shtua Instituti i Statistikave.

Pothuajse të gjitha kërkesat e institucioneve u parashikuar në buxhetin e vitit 2019.

Kuvendi ka miratuar strukturat e 11 institucioneve të pavarura.

Gjatë vitit 2018 u zgjedhën 28 titullarë ose anëtarë të organeve drejtuese në 9 institucione.

Kontrolli parlamentar ndaj qeverisë është rritur.

Parandalimi dhe lufta kundër korrupsionit, sidomos përdorimi i financave publike, kanë qenë e mbeten në qendër të vëmendjes së Kuvendit. Raportet e KLSH janë pjesë e monitorimit sistematik.

Në 14 Nëntor 2018, u organizua takimi i dytë vjetor i Kryetarit të Kuvendit me përfaqësues të qeverisë dhe krerët e institucioneve të pavarura. Kuvendi i tërhoqi vëmendjen qeverisë për mosnxjerrjen e akteve nënligjore për 8 ligje dhe nxjerrjen e akteve nënligjore të paplota për 10 ligje të kësaj legjislature.

Komisioni i Ekonomisë i rekomandoi Ministrisë së Financave të zhvillojë një standard të ri profesional për llogaritjen e borxhit publik, në përputhje me standardet ndërkombëtare, sipas sugjerimeve të KLSH.

Nënkomisioni për administratën publike thirri në raport Zv.Kryeministren dhe Departamentin e Administratës Publike për rekrutimet dhe çështje të shërbimit civil e shërbimeve publike.

Nënkomisioni për barazi gjinore zhvilloi disa seanca dëgjimore lidhur me  parandalimin e dhunës  ndaj  grave.

Në kontrollin parlamentar, janë vërejtur edhe mosrealizime, për shumicën e të cilave përgjegjësia nuk është e Kuvendit. 

Nuk është ngritur ende Nënkomisioni parlamentar për mbikqyrjen e transparencën e buxhetit të shtetit dhe zbatimit të rekomandimeve të KLSH.

Nuk ka filluar auditimi i llogarive financiare të KLSH-së. 

Janë konstatuar vonesa në ushtrimin e funksionit zgjedhës për disa institucione, për shkak se Qeveria dhe institucionet përkatëse nuk kanë paraqitur në kohë kandidaturat.

Kontributi i Kuvendit për të drejtat e qytetarëve është rritur.

Në vëmendje të komisionit të arsimit, financave, veprimtarive prodhuese, ligjeve, sigurisë, grupit “Miqtë e fëmijëve” dhe vizitave monitoruese ishin të drejtat e grave, fëmijëve, personave me aftësi të kufizuar, të varfërve dhe e drejta e pronësisë.

Kryetari i Kuvendit organizoi një Forum mbi varfërinë, në të cilën u tërhoq vëmendja e qeverisë për fuqizimin e programeve të mirëqenies.

U miratuan disa ndryshime ligjore dhe burime buxhetore që mundësuan zgjidhjen e problemeve të zvarritura për më shumë se dy dekada lidhur me regjistrimin e fëmijëve, parandalimin e dhunës në familje dhe zgjidhjen e të drejtave të pronësisë nëpërmjet ligjit për noterinë, kadastrën etj.

Kuvendi po monitoron realizimin e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm, duke rritur ndjeshmërinë ndaj ndikimit të ligjeve në mjedis dhe në cilësinë e jetës.

Sesioni i ri parlamentar do tu kushtohet tri prioriteteve, të cilat përbëjnë sfidat themelore në 6 mujat e ardhshëm:

1. Ky sesion duhet dhe do të jetë sesioni i çeljes së negociatave. Kuvendi do të realizojë të gjitha objektivat për integrimin europian dhe do të nxis e kontrolloj qeverinë të përmbushë detyrat për çeljen e negociatave në qershor të këtij viti.

2. Ky do të jetë sesioni i zhvillimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme në 30 qershor. Kuvendi do të marrë të gjitha përgjegjësitë për votimin e reformës zgjedhore dhe garantimin e standarteve të zgjedhjeve vendore.

3. Ky do të jetë sesioni i kompletimit të organeve të sistemit të drejtësisë. Kuvendi do të krijojë të gjitha kushtet  e marrë masat për ngritjen e plotësimin në kohë të Gjykatës Kushtetuese, SPAK-UT, Byrosë Kombëtare të Hetimit, Gjykatave të posaçme dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Ne do të punojmë që këto sfida të realizohen në mënyrë komplementare dhe të përshpejtojnë njera-tjetrën.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Gazetari Eduard Ilnica është dhunuar barbarisht mbrëmjen e së hënës nga disa persona. Për shkak të një shkrimi botuar në gazetën lokale për ekipin e Kastriotit.

Sakaq, ka reaguar demokrati Genc Pollo që akuzon qeverinë për mosmarrje dënimi apo solidarizim për rastin në fjalë.

Pollo thotë se liria e shtypit ka rënë poshte.

“Edhe një gazetar tjetër i dhunuar barbarisht pasi bëri detyrën, raportoi për dhunën në stadium. Në mes të Tiranës! Asnjë dënim apo solidarizim nga qeveria, ministri i Brendshëm, i Sportit. Si dhe më parë. Liria e shtypit poshtë”, shprehet deputeti në një deklaratë për mediat.