Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken do të vizitojë Tiranën më 16 shkurt.
Kjo do të jetë vizita e parë e sekretarit amerikan në Shqipëri, që prej vitit 2021 kur ai mori postin për drejtimin e diplomacisë amerikane. Lajmi për vizitën e Antony Blinken në Shqipëri është bërë i ditur nga gazetari Muhamed Veliu për Top Channel.
Burime diplomatike në Uashington kanë thënë se është duke u punuar për finalizimin e detajeve të kësaj vizite. Për momentin nuk dihet qëllimi primar i kësaj vizite, por sugjerohet se vjen si një vlerësimin amerikan për Shqipërinë, si një aleate e SHBA dhe në NATO.
Vitin e kaluar, sekretari Blinken komentoi me nota të larta pozitive rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në OKB. Kujtojmë se Antony Blinken shpalli në vitin 2021 non grata në SHBA ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili aktualisht është në arrest shtëpie nën akuzën e korrupsionit pasiv lidhur me aferën e ish-kompleksit Partizani.
Asokohe Blinken deklaroi: “Sot unë po shpall publikisht non-grata Sali Berishën, ish-President i Shqipërisë, ish-kryeministër dhe ish-anëtar i Parlamentit për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion madhor.”
Vizita e parë e një sekretari amerikan shteti në vendin tonë ishte ajo e James Baker, në Tiranë më 22 qershor 1991. Ndërsa e dyta vizitë e një tjetër sekretari amerikan shteti ishte ajo e Madeleine Albright, më 19 shkurt 2000, ku mbajti edhe një fjalë në parlamentin shqiptar. Pasuar nga një tjetër vizitë e John Kerry, më 14 shkurt 2016.