Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Sekretari amerikan Antony Blinken do të vizitojë Tiranën, e konfirmon DASH

Shkruar nga Newsbomb
Sekretari amerikan Antony Blinken do të vizitojë Tiranën, e

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) konfirmon vizitën e sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken në Shqipëri. Përmes një komunikate  DASH bën me dije se sekretari i shtetit Antony J. Blinken do të udhëtojë në Tiranë- Shqipëri dhe Mynih-Gjermani, nga datat 14-17 shkurt.

Sipas DASH, vizita e Blinken në Tiranë do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i fortë në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Kjo do të jetë vizita e parë e sekretarit amerikan në Shqipëri, që prej vitit 2021 kur ai mori postin për drejtimin e diplomacisë amerikan.

Vitin e kaluar, sekretari Blinken komentoi me nota të larta pozitive rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në OKB.

Përmes kësaj vizite sekretari Blinken synon të ritheksojë mbështetjen amerikane ndaj prokurorisë speciale SPAK.

Sa i përket se kë do të takojë Blinken në Tiranë, sugjerohet se në agjendën e deritanishme parashikohen vetëm dy takime, me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e SPAK Altin Dumani, raporton Muhamed Veilu për Top Channel. Megjithatë agjenda e takimeve mund të ndryshojë e të përfshijë persona të tjerë.

Antony Blinken shpalli në vitin 2021 non grata në SHBA ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili aktualisht është në arrest shtëpie nën akuzën e korrupsionit pasiv lidhur me aferën e ish-kompleksit Partizani.

Asokohe Blinken deklaroi: “Sot unë po shpall publikisht non-grata Sali Berishën, ish-President i Shqipërisë, ish-kryeministër dhe ish-anëtar i Parlamentit për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion madhor.”

Vizita e parë e një sekretari amerikan shteti në vendin tonë ishte ajo e James Baker, në Tiranë më 22 qershor 1991. Ndërsa e dyta vizitë e një tjetër sekretari amerikan shteti ishte ajo e Madeleine Albright, më 19 shkurt 2000, ku mbajti edhe një fjalë në parlamentin shqiptar. Pasuar nga një tjetër vizitë e John Kerry, më 14 shkurt 2016.

Vizita në Gjermani

Sipas komunikatës të bërë nga DASH, gjatë vizitës në Gjermani Blinken do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë të Munihut, ku do të diskutojë për Ukrainën, Lindjen e Mesme dhe sigurinë transatlantike, bëri të ditur DASH-i.

Pjesëmarrja e Blinkenit në Konferencën e Munihut, bëhet pasi ai përfundoi turneun e pestë në Lindjen e Mesme, në përpjekje për të shtyrë përpara një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Lexo edhe: Sekretari amerikan Antony Blinken vjen në Shqipëri, zbulohet data

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese