Gjatë këtyre takimeve, norvegjezi ka përsëritur disa herë qëndrimin e tij se krijimi i ushtrisë së Kosovës është një çështje e brendshme e saj, por kjo nuk duhet të ndikojë në arritjet që janë evidentuar deri më tani në fushën e sigurisë
Sekretari i Përgjithashëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka zhvilluar sot një vizitë zyrtarë në Kosovë, ku është takuar me personalitetet më të larta të këtij vendi. Stoltenberg është takuar me ministrin e Jashtëm Hashim Thaçi, me kryeministrin Isa Mustafa, me presidenten e Republikës Atifete Jahjaga, si dhe komandantin e KFOR-it, Francesco Paolo Figliuolo.
Gjatë këtyre takimeve, norvegjezi ka përsëritur disa herë qëndrimin e tij se krijimi i ushtrisë së Kosovës është një çështje e brendshme e saj, por kjo nuk duhet të ndikojë në arritjet që janë evidentuar deri më tani në fushën e sigurisë.
“Nuk i mbetet NATO-s që të vendos se si Forcat e Sigurisë së Kosovës do të zhvillohen. Ajo që bëjmë ne, është ngritja e kapaciteteve e FSK-së, në mandatin e saj aktual. Ajo që mund ta theksoj është se, çfarëdo që ju vendosni të bëni, ju duhet ta bëni në një mënyrë që nuk krijon tensione të reja, nuk i kontribuon jostabilitetit të mëtejshëm, dhe ta bëni në aso mënyrë që është në pajtimin kombëtar, dhe gjithashtu me qasje të madhe politike. Ju mbetet juve të vendosni, por unë pres nga ju që ta bëni në një mënyrë që nuk do të minoj progresin që e kemi bërë së bashku në krijimin e stabilitetit, pajtimit dhe paqes. Siç thashë, ne presim që të bashkëpunojmë me ju edhe në të ardhmen, dhe jeni të mirëseardhur në bashkëpunimin euroatlantik” është shprehur Stoltenberg gjatë konferencës me Mustafën.
Ai ka theksuar se NATO do të vazhdojë të jetë e pranishme në Kosovë, për aq kohë sa të jetë e nevojshme në funksion të paqes dhe stabilitetit.