
Pak pasi është kërkuar nga prokuroria masa 'Arrest me burg' për Henri Çilin dhe 29 të arrestuarit e tjerë të operacionit "MEZHGORANI", qyteti i Përmetit është blinduar nga qindra forca policie.
Në fotot ekskluzive që disponon newsbomb.al, shikohen shumë makina dhe fugonë policie të vendosur në afërsi të Komisariatit të Përmetit.
Prokuroria e Përmetit ka kërkuar masën arrest me burg për të gjithë të arrestuarit burra në mesin e 30 të prangosurve të operacionit të bujshëm ‘Mezhorani’, në mesin e të cilëve është edhe botuesi i njohur Henri Çili.
Mësohet se përjashtim nga masa arrest me burg bëjnë vetëm 2 gratë e ndaluara ne kuadër të këtij operacioni. Raportohet se për noteren Shpresa Gjoçaj dhe një vajzë tjetër u kërkua masa e sigurisë arrest shtëpie.
Kujtojmë që deri tani në kuadër të hetimit të Prokurorisë së Përmetit për dosjen “Mezhgorani” janë arrestuar në total 30 persona për akuza të ndryshme, si "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, ‘’Falsifikimi i dokumenteve dhe kartëmonedhave", "Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse", "Organizimi i lotarive të palejuara", "Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale", "Fshehja e të ardhurave", "Mashtrimi", Moskallëzimi i krimit”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Shpërdorim detyre".