Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Samir Mane, biznesmeni që lufton për çdo qindarkë suksesi

Shkruar nga Newsbomb
Samir Mane, biznesmeni që lufton për çdo qindarkë suksesi

Nga Anila Basha

Samir Manen, ndryshe nga sa mund të mendojë ndokush, nuk është e vështirë ta gjesh, kuptohet, nëse ke një raport komunikimi me të. Ai e mban vetë telefonin (dhe jo asistentja).

Eshtë një biznesmen që brenda një morie gjërash që ka në përditshmërinë e vet, i pëlqen të takojë njerëz të rinj. Këta mund të jenë që nga studentët e apasionuar, studioz dhe që kanë diçka për të thënë, e deri tek kolegët, politikanët, vendimmarrësit e gjithkush tjetër, jo vetëm në Shqipëri. Tani që grupi BALFIN që drejton prej 30 vitesh, është kthyer një brand ndërkombëtar, për të, sa ç’ka përgjegjësi, ka edhe punë në ekip: të gjejë njeriun e duhur në vendin e duhur. Për këtë nuk punon vetëm – është një armatë e tërë punonjësish (5000 vetë) dhe sot, renditet ndër punëdhënësit më të fuqishëm në vendin tonë, rajon e më gjerë. Më lindi ideja për një profil me biznesmenin Mane ndërsa isha e ftuar në ceremoninë e festimeve të 30 vjetorit të grupit BALFIN.

E gjeta Zamon, siç e thërrasin të gjithë miqtë e tij në një ambient kaq dashamirës dhe rrethuar me miklime pozitive kolegësh. Madje – madje, me një perifrazim ironik të akuzave të opozitës, aty gjeta gjithë oligarkët. Ishte mes Behar Males së Plazza, apo Bashkim Ulajt të Gener2, Bledar Shellës së OTP e Vasil Naçit të Agna Group apo vëllezërve Dulaku e mikut të tij Frangaj…të gjithë kishin ardhur ta uronin për 30 vjetorin e kompanisë. E kam parë kohët e fundit se ka ndryshuar qasjen ndaj medias, publikut. Është gjithmonë e më i hapur. E sheh në intervista të ndryshme, në takime motivuese, në programe humori, apo në debate ekonomike për drejtimin ekonomik të vendit. Më së pari, u kuriozova se pse. Çfarë e shtyn një njeri si Samir Mane të jetë kaq i hapur?

Ka shumë për të thënë? “Ka qenë një diskutim i gjatë edhe me stafin nëse roli i një sipërmarrësi duhet të kufizohet vetëm te biznesi, apo duhet të jetë më i hapur. Unë kam vendosur që duhet të jem më i hapur sidomos me të rinjtë prandaj i jam përgjigjur pozitivisht çdo ftese që më kanë bërë universitetet për biseda të hapura. Besoj se duhet të tregojmë mbi vlerën e punës dhe të nxisim ëndrrat tek të rinjtë. Vetëm kështu vjen përmirësimi i shoqërisë” më tregon Samiri. Dhe instiktivisht, më fluturoi ndërmend ideja se nuk doja ta pyesja asfare për fillimet e tij. Ka kaq vite që na tregon historinë e marrjes së televizorit të parë dhe vështirësinë e sjelljes në Shqipëri të paisjeve të para elektroshtëpiake. Eshtë momenti që të njohim Samir Manen si biznesmen në dimensionin global tani që BALFIN Group operon në 10 shtete.

ÇFARË E BËN TË SUKSESSHËM KËTË NJERI?

“Unë kam ndjekur shumë sipërmarrës të tjerë në rrugëtimin e tyre për të mësuar çfarë kanë bërë mirë e çfarë do kishin bërë më mirë. Mendoj se është pjesë asgjë nuk më është falur, por më është dashur të punoj më shumë se të tjerët. Kush mendon të pasurohet shumë shpejt dhe pa shumë punë e ka gabim”, thotë Mane që e evidenton edhe vetë se në kompaninë BALFIN, ka shumë të rinj që pasi kanë mësuar nga eksperienca aty, kanë hapur bizneset e veta. Por po të dalësh sot në qytet, e të bësh VoxPop-e me të rinj e studentë se nëse duan të bëhen biznesmenë kujt biznesmeni duan t’i ngjasojnë, një pjesë e konsiderueshme do të përgjigjen: Samir Mane.

Për më shumë, lexoni revistën Newsbomb në versionin print, të cilën mund ta blini në çdo pikë shitje, në gjithë Shqipërinë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese