Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa do të paraqitet për të tretën herë para Gjykatës Speciale, për të përcaktuar statusin e tij.
Seanca do të zhvillohet gjatë ditës së sotme në orën 15:00.
Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja dhe me 28 tetor është deklaruar i pafajshëm për katër akuzat e ngritura ndaj tij nga Specialja.
Por me 23 nëntor, gjykata ka vendosur që Mustafa të vazhdojë sërish në paraburgim.
Po kush është Salih Mustafa?
Ai ka qenë pjesë e organizimit të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, që nga viti 1988, nën udhëheqjen e Afrim Zhitisë, Fahri Fazlisë dhe Fadil Vatës.
Më pas ishte arrestuar në vitin 1993 nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit dhe është dënuar me 5 vite burgim për organizim të kryengritjes së armatosur.
Pas përfundimit të burgimit në vitin 1997 Mustafa është angazhuar në organizimin dhe shtrirjen e UÇK-së në rajonin e Prishtinës, Obiliqit, Gjilanit, Vitisë e Kamenicës.
Salih Mustafa ka qenë njëri nga themeluesit e LKQK-së.
Ai shërbeu si shef i departamentit informativ të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, pastaj edhe si këshilltar për inteligjencë i kryeministrit Agim Çeku.