Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zyrtarisht janë të kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, lidhur me ngjarjen e 21 Janarit.
Këtë të martë, 12 mars, Gjykata e Lartë vendosi që hetimet për vrasjen e protestuesit, Aleks Nika, në 21 Janar 2011, përpara Kryeministrisë, të kryhen nga SPAK. Trupa e gjyqtarëve urdhëruan regjistrimin e procedimit penal dhe marrjen e përgjegjësisë penale nga personat e përfshirë në krimin shtetëror të 2011.
Bashkëshortja e një prej viktimave të 21 Janarit, Aleks Nikës, Rajmonda Nika, kërkoi më herët nga organi më i lartë i drejtësisë në Shqipëri që të hetohet Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi. Në kërkesë theksohej se dy politikanët që dyshohet se kanë pasur rol aktiv në ngjarje, kryeministri dhe ministri i Brendshëm, përkatësisht Sali Berisha dhe Lulzim Basha duhet të hetohen nga Prokuroria e Posaçme.
LEXO EDHE: Gjykata e Lartë i vë vulën: Vrasja e Aleks Nikës në 21 Janar do të hetohet nga SPAK!
Në hetime u kërkua të përfshihej edhe Ndrea Prendi pasi ky i fundit është akuzuar se ka qëlluar gjatë protestës me armën e tij personale dhe në tentativë për të prishur hetimet, ka ndërruar gjilpërën e pistoletës.
Në një prononcim për mediat, pasi Gjykata e Lartë vendosi që hetimet për vrasjen e Aleks Nikës të kryhen nga SPAK, avokati i familjes, Idajet Beqiri tha se shpreson që Prokuroria e Posaçme të nxjerrë mësimet e duhura nga kjo çështje, pasi herën e parë nuk mori parasysh asgjë dhe ja delegoi atë Prokurorisë së Tiranës.
Ai u shpreh për mediat se zyrtarisht të kallëzuar në SPAK janë Sali Berisha, Lulzim Basha dhe ky organ i drejtësisë është i detyruar që t’ i hetojë.
“Ne kërkim ne thoshim që kompetente për këtë çështje nuk është Prokuroria e Tiranës, se ajo hetoi gardistët, por urdhëruesit dhe hierarkinë nuk e ka hetuar dhe nuk ka kompetencë ta shqyrtojë ajo. Tani, Gjykata e Lartë urdhëroi të regjistrohet kallëzimi penal dhe të bëhen hetime, duke ju referuar dhe Gjykatës së Strasburgut.
Zyrtarisht, kallëzimi ndaj Sali Berishë, Lulzim Bashës dhe të tjerëve është në SPAK dhe SPAK është i detyruar të hetojë. Ne SPAK i thamë se kemi dhe provën e re, audio-regjistrimin që duam ta dorëzojmë vetëm te ju. Ata nuk e pranuan fare. Jam i bindur që tashmë SPAK i ka nxjerrë mësimet e duhura dhe tani ne do e dorëzojmë (audio-regjistrimin). Do thirremi dhe do e dorëzojmë menjëherë”, u shpreh Idajet Beqiri.
LEXO EDHE: Gjykata e Lartë urdhëroi sot SPAK, vendimi i Strasburgut: Aleks Nikën e vrau shteti!