Duhet të dilte video pornografike e “Safetit”, që Bashkia, qeveria dhe bashkë me rrjetin e gjithë shqiptaria të tundej e shkundej.
Nuk mund të kishte një lajm me eklipsues, me sfidues, me zhurmësjellës sa të gjitha lajmet e tjera bashkë, se sa “Safeti ne aksion”. Safeti i sfidon sot të gjithë. Sidomos dy të famshmit “Luiz” dhe “Rama”.
Ata duhet të presin...sa të mbarojë punë Safeti… Safeti ka tmerruar pantallonat e burrave dhe buzëkuqin e grave. Sot ai ka vendosur një standard të ri për pothuajse dy minuta kontribut. Ka ngjyer administratën e pushtetin bashkë me shtetin.
Safeti na tha të gjithëve: Shikoni këtu, shikoni mire ç’bëhet! Faleminderit Safet, por ne nuk të besojmë! Nuk të besojmë që kjo ndodh edhe në Bashkinë Tiranë, ashtu sikur Kukës. Nuk të besojmë që kjo ndodh në Qeveri, në Ministri, kudo… Edhe në Drejtësi. Ne nuk të besojmë! Ne e dimë që vetëm ti e shkunde mendjelehtësinë në tavllën e pushtetit.
Asnjë tjetër! As në Bashkinë Tiranë e as në Qeveri. Sot mësuam çmimin e tavolinës së punës, përballë tavolinës së pushtetit. Pamë se çfarë duhet të marrësh, për ta siguruar atë. Por ky nuk është çmimi i Tiranës, por i Kukësit. Tirana ka çmime të tjera, ekzigjenca dhe pornofilma më të sofistikuar, apo jo?!
Sot pamë vajzën dhe gruan shqiptare, që kaloi sa hap e mbyll sytë nga turra e druve ne kurriz, me një kapërcim safetian, në tavolinën e drunjtë të shoqërisë maskiliste shqiptare. Të gjithë burrat shqiptarë sot ndjehen si të pështjelluar, apo të zënë në faj.
E urrejnë Safetin: Po pse s’pate kujdes o idiot…na fëlliqe! Të gjitha gratë, nga më të lartat në qeveri e parlament, tek ato më të thjeshtat, specialiste, pyesin veten por nuk guxojnë të tregojnë: Po të më kishte ndodhur mua?! Tmerr… Ja pra, edhe kjo u pa në Shqipëri.
Safeti pas tre ditësh do harrohet…ose do amortizohet. Edhe në Amerikë ndodhi…e mbani mend Klintonin me Lewinskin?! Do fillojë lufta politike për “safetin” e Safetit. Gratë dhe burrat do qetësohen dhe pas kësaj do kenë më kujdes. Deri në zgjedhjet e ardhshme!