Në qershor të vitit të kaluar Shqipëria dështoi të çelë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Qeveria shqiptare nuk e quajti refuzim vendimin e BE-së, por pranoi se ishin një sërë kushtesh që duhej të plotësoheshin deri vitin tjetër.
Kryefjala ishte avancimi i procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca, kujton në një intervistë të dhënë për një media shqiptare, se edhe pesë muaj na ndajnë nga vendimi për çeljen ose jo të negociatave.
Por megjithëse qeveria shqiptare deklaroi qershorin e kaluar angazhim maksimal në plotësimin e kushteve shtesë, duket se më shumë se gjysma e vitit ka kaluar pa produktivitet, ndërsa qeveria e Ramës është përballur me protesta të shumta, denoncime të njëpasnjëshme nga opozita dhe një sërë të ashtuquajtura “skandalesh”.
Dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, në momentin më kritik të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, kryeministri Edi Rama vendosi të shkarkojë papritur kryediplomatin Ditmir Bushati. Një lëvizje që duket se befasoi edhe kundërshtarët e tij politikë.
Por cilat janë kushtet e Këshillit Europian dhe sa prej tyre janë përmbushur deri tani?
Kushti i parë është avancimi i procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Procesi i Vettingut në Shqipëri ka vijuar pa ndërprerje, megjithëse nuk varet nga qeveria, ky proces është kritikuar për ritmet e ngadalëta të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, çka bllokoi për një kohë edhe krijimin e organeve të reja, tashmë të ngritura si KLGJ dhe KLP. Duke vonuar kështu edhe progresin e kushtit të dytë.
Ngritja e organeve të reja të drejtësisë përkatësisht Strukturës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Byrosë Kombëtare të Hetimeve (BKH) dhe Gjykatës.
Organet që do të hetojnë dhe godasin krimin e organizuar dhe korrupsionin në shkallët më të larta, nuk janë krijuar ende. Rruga duket e hapur për ngritjen e tyre, me formimin e KLGJ dhe KLP. Por a do të arrijnë të krijohen brenda pesë muajve, për të nisur luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, që është edhe kushti i tretë? Mbetet për t’u parë.
Forcimi i procesit të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe në nivel të lartë.
“Peshqit e mëdhenj” i quante ish ambasadori amerikan Donald Lu. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se deri më tani asnjë peshk i madh nuk ka rënë në rrjetë. Edhe ata drejtorë të akuzuar për korrupsion, duket se kanë arritur ta çajnë rrjetën e drejtësisë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për krimin e organizuar. “Forca e Ligjit” nisi vrullshëm nga ish ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, dha rezultate të dukshme me disa operacione të bujshme për goditjen e grupeve kriminale, u përshëndet dhe u mbështet nga ndërkombëtarët. Por duket se me largimin e Xhafajt, “Forca e ligjit” pushoi së vepruari.
Adresimi i rekomandimeve të Zyrës për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë si dhe ulja e ndjeshme e numrit të aplikuesve për azil në vendet e BE-së janë disa kushte të tjera.
Komisioni Europian po vëzhgon nga afër përpjekjet e Shqipërisë për plotësimin e kushteve. Por a ka arritur Shqipëria të bëjë aq sa duhet për të çelur negociatat ndërsa kanë mbetur edhe pesë muaj? Një raport përfundimtar i Komisionit Europian do të vendosë pikat mbi ‘i’.
Por nga deklarata e ditëve të fundit e ambasadorit të BE-së Luigi Soreca, duket de punët qeveria i ka lënë për minutën e fundit.
"Vendimi i qershorit për hapjen e negociatave me BE-në varet nga veprimet që Shqipëria do të vazhdojë të ndërmarrë në 5 muajt e ardhshëm”, deklaroi Soreca. /Newsbomb.al