Tirana
scattered clouds
23.5 ° C
23.5 °
23.5 °
53 %
2.1kmh
40 %
Mër
24 °
Enj
24 °
Pre
25 °
Sht
28 °
Die
31 °
E mërkurë, 22 Shtator, 2021
spot_img

S‘JUSTIFIKOI dot blerjen e një ‘Benzi’, një shtëpie dhe një toke në Korçë, GJYQTARI Sotiraq Lubonja PËRFUNDIMISHT jashtë drejtësisë (Vendimi KPA)

spot_img

Lajme të ngjashëm

e61f08685c2b98cd52aff24fa1d20e8e

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i ka rrëzuar pretendimet e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Korçë, Sotiraq Lubonja duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin e tij nga detyra. Trupa gjykuese e KPA e përbërë nga Ina Rama kryesuese, Luan Daci relator dhe Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe Sokol Çomo anëtarë, vlerësojnë se Lubonja ka kryer deklarim të rremë për sipërfaqen e një shtëpie në Korçë; deklarim të pasaktë për vlerën e saj; nuk justifikon me burime të ligjshme ndërtimin e banesës në fjalë si dhe blerjen e një automjeti tip “Benz”.

Kolegji konkludon gjithashtu se ish-gjyqtari Lubonja ka pasur mungesë të burimeve të ligjshme për të justifikuar dhurimet, të cilat kanë shërbyer si burim krijimi për investimin në bono thesari dhe shpenzimet milionëshe jashtë shtetit. KPA e ka shqyrtuar çështjen e Lubonjës në dhomë Këshillimi, duke rrëzuar edhe pretendimet e tjera të Lubonjës.  Më datë 8 tetor 2019, Kolegji vendosi përfundimisht lënien në fuqi të vendimit nr. 68, datë 08.10.2018 të KPK-së për shkarkimin e Lubonjës.

Deklarimi i rremë për shtëpinë

Pretendimet dhe shpjegimet e Lubonjës se palët dhuruese që kanë kontribuar në ndërtimin e një shtëpie me sipërfaqe 61 m2 me dy kate + papafingo me pjesë takuese 66.66%, kanë qenë të motivuar pasi janë familjarë, nuk e kanë bindur Kolegjin. Trupa gjykuese e KPA vëren se edhe pse Lubonja kundërshton përfundimin e KPK-së për fshehje dhe deklarim të rremë, hetimi i Komisionit është përqendruar në pamundësinë e mbulimit me të ardhura të ligjshme të kostos së ndërtimit të objektit ekzistues dhe zgjerimin e tij, përtej asaj çka përmbanin kontratat e dhurimit.

KPA konkludon se Komisioni ka vlerësuar drejt lidhur me koston e ndërtimit të shtëpisë që ka rezultuar të jetë 6.3 milionë lekë, disa herë më e lartë nga ajo e deklaruar nga Lubonja në vlerën e 2.5 milionë lekëve. Në vendim thuhet se rezulton balancë negative prej 4 milionë lekësh, pa përfshirjen e shpenzimeve për kosto jetese dhe duke përfshirë likuiditetet e deklaruara cash, në vlerën 1.5 milionë lekë. KPA thekson më tej se diferenca mbetej e pambuluar edhe sikur të përfshiheshin në analizë të ardhurat nga paga e subjektit për vitet 1992-1997 dhe ato nga pensioni i nënës, duke argumentuar se këto vlera nuk bëjnë diferencë të madhe.

“Shpjegimet e subjektit të rivlerësimit nuk u dukën bindëse për trupin gjykues të Kolegjit, pasi edhe sikur të mbahet në konsideratë fakti i deklaruar nga subjekti, se tullat janë marrë me një vlerë tepër të ulët dhe janë mbajtur për 5 vjet në shtëpi, çmimi i përcaktuar për ndërtimin e sipërfaqes shtesë është disa herë më i ulët se ai i përllogaritur për ndërtimin e kësaj sipërfaqeje prej 395 m2, sipas një çmimi mesatar të ndërtimit në vitin 1997,” citohet në vendimin e KPA.

Aty shpjegohet se Lubonja në vitin 2003 ka deklaruar se zotëronte truall me sipërfaqe 108 m2, ndërkohë që sipërfaqja është 173 m2. E njëjta situatë konstatohet dhe për sipërfaqen ndërtimore të deklaruar se ka qenë 61 m2 me dy kate + papafingo, ndërkohë që sipërfaqja faktike në total është 395.3 m2.

KPA vlerëson edhe faktin e kryerjes së një ndërtimi të paligjshëm të kryer nga Lubonja. Në vendim quhet i pavërtetë pretendimi i ish-gjyqtarit të Apelit Korçë se ndërtimi i paligjshëm i shtesës është kryer nga nëna e tij, pasi nga vetëdeklarimi për legalizimin e kësaj shtese në nëntor 2006, vërtetohet se ndërtimi i paligjshëm është kryer nga vetë subjekti i rivlerësimit. “Trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se ligji penal i miratuar më vonë e ka bërë ndërtimin e paligjshëm, edhe penalisht të dënueshëm,” thuhet në vendim.

Kolegji arrin në përfundimin se Lubonja ka kryer deklarim të rremë për sipërfaqen e kësaj shtëpie ka bërë deklarim të pasaktë për vlerën dhe nuk justifikon me burime të ligjshme ndërtimin e saj.

Hua pa burime të ligjshme

Lubonja ka deklaruar dhurime në shumat 30.000 USD në vitin 2005 dhe në vitin 2015; 11.000 euro në vitin 2014 dhe 300 mijë lekë në vitin 2015; si edhe 500 mijë lekë në vitin 2017. Gjithashtu, ai ka deklaruar 20 udhëtime së bashku me familjen në ShBA me vlerë prej 3.7 milionë lekësh sipas Komisionit, ndërsa sipas konstatimit në Kolegj në shumën 4.3 milionë lekë. Për mundësimin e këtyre udhëtimeve përgjatë viteve 2010-2016, Lubonja ka deklaruar se shpenzimet janë kryer nga vjehrri dhe vjehrra që jetojnë në ShBA dhe nga kunati.

KPA vlerëson se nuk është arritur të provohet burimi i ligjshëm i një dhurimi në vlerën 25 mijë USD nga vjehrri, pasi nuk është provuar mundësia financiare e këtij të fundit për të depozituar në emër të vajzës së tij shumën e sipërcituar. Po ashtu nuk janë justifikuar dot edhe burimet e dy dhuratave nga 5500 euro dhe një vlere tjetër 5000 USD.

“Subjekti i rivlerësimit në përgjigje të pyetsorëve ka deklaruar se shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit në ShBA për periudhën 2008 – 2016 janë paguar nga vjehrri, vjehrra si dhe kunati. Sipas metodologjisë së përdorur nga Komisioni, këto shpenzime janë përllogaritur në vlerën 3.738.680 lekë, dhe sipas konstatimit në Kolegj 4.364.229 lekë (viti 2008, vitet 2010 -2016, në total 20 udhëtime të kryera nga subjekti i rivlerësimit dhe familja e tij). Për këto shpenzime nuk provohet fakti që janë kryer dhe përballuar prej këtyre shtetasve me qëllim për të përmbushur detyrimin që ai vetë ka, për të shpjeguar bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive,” thuhet në vendim.

Po ashtu, nuk është provuar mundësia financiare e nënës së ish-gjyqtarit për dhurimin e disa vlerave: të 1.5 milionë lekëve në vitin 2003; të shumës 325 mijë lekë për blerjen e një autoveture tip Benz në 2005 dhe të një vlere tjetër 3 milionë lekësh për të cilën Lubonja ka pretenduar se e ëma ia kishte lënë para vdekjes. “Subjekti rivlerësimit nuk ka paraqitur asnjë dokument justifikues mbi likuiditetet e nënës,” citohet në vendim.

Sipas KPA-së, për periudhën e analizuar 1992-2003, Lubonja rezulton në mungesë të burimeve të ligjshme, duke përfshirë në analizë edhe likuiditetet e deklaruara cash prej 1.500.000 lekësh në deklaratën vjetore 2003. “Për këtë arsye, trupi gjykues i Kolegjit konstaton se njësia ekonomike familjare, e cila sipas pretendimeve të subjektit të rivlerësimit administrohej nga nëna e tij, gjendej në mungesë të burimeve të ligjshme financiare për t’i realizuar këto kursime”, argumenton KPA.

Trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se Lubonja ka mangësi të burimeve të ligjshme edhe në kijimin e vlerës 9.1 milionë lekë të investuar në bono thesari. “Duke qenë se për burimin e krijimit të bonove të thesarit, pjesërisht pretendohet se kanë shërbyer disa nga kursimet e deklaruara nga subjekti i rivlerësimit të atribuara nënës si administratore e njësisë ekonomike familjare dhe dhurimeve nga vjehrri i tij, për të cilat trupi gjykues i Kolegjit ka vlerësuar më lart se nuk u justifikua ligjshmëria e burimit të tyre, rrjedhimisht në përfundim konkludohet se krijimi i pasurisë bono thesari është realizuar me të ardhura të pajustifikuara,” thuhet në vendim.

Për krijimin e likuiditeteve bono thesari janë konstatuar si burime krijimi vlera 25 mijë USD e dhuruar nga vjehrri, vlera 3 milionë lekë e lënë para ndarjes nga jeta nga nëna e Lubonjës dhe 3.1 milionë kursime familjare. /BIRN

Më shumë

spot_img