“Fondi Kulturor për të Rinjtë e Ballkanit Perëndimor” ka mbështetur financiarisht 4 projekte përgjatë 2023-shit. Kultura ka forcën të transformojë shoqërinë, të fuqizojë komunitetet lokale e të krijojë një ndjesi përkatësie dhe identiteti për të gjitha moshat. RYCO (Regional Youth Cooperation Office) beson plotësisht te kjo filozofi, prandaj vazhdimisht iu krijon të rinjve e të rejave mundësi të shfaqin talentin e tyre dhe përmes artit, ideve e punës kreative, të sjellin ndryshim në shoqëri.
Përmes fondit “Western Balkans Youth Cultural Fund” (Fondi Kulturor për të Rinjtë e Ballkanit Perëndimor) RYCO ka mbështur në vitin 2023 katër projekte kulturore nga Shqipëria, prej të cilave dy janë individë dhe dy të tjera organizata rinore si dhe 20 projekte të tjera nga rajoni.
Thirrja do të përsëritet për 2024-ën dhe kjo është një mundësi shumë e mirë për të tjerë të rinj dhe organizata rinore që të përfitojnë mbështetje për idetë e tyre, me synimin dhe ambicien për të sjellë ndryshime pozitive e të ndjeshme në shoqëri. Ndaj të interesuarit, që të mos e humbasin këtë mundësi, duhet të vizitojnë herë pas here faqen zyrtare të RYCO-s ku edhe do të publikohet thirrja e radhës.
“Fondi Kulturor për të Rinjtë e Ballkanit Perëndimor” është një projekt i ri që do të zgjasë deri në vitin 2026, i krijuar për artistët e rinj dhe organizatat rinore që veprojnë në fushën artistike e kulturore. Projekti synon të mbështesë “aktivizmin kulturor” dhe zgjidhjet kreative për
probleme të ndryshme me karakter social e politik në Ballkanin Perëndimor.
Fondi iu siguron të rinjve dhe të rejave në sektorin krijues dhe artistik mundësi të ndryshme, si edhe nxit bashkëpunimin e shkëmbimin kulturor në rajon. Për më shumë informacione rreth “Fondit Kulturor për të Rinjtë e Ballkanit Perëndimor”, vizitoni: https://www.rycowb.org/general-info-western-balkans-youth-cultural-fund/
Baner 1