Një gjykatë në Rusi ka urdhëruar mbylljen e organizatës më të vjetër të të drejtave të njeriut në vend.
Grupi i Helsinkit të Moskës (MHG) u themelua në vitin 1976 dhe çdo vit ka raportuar mbi situatën e të drejtave të njeriut në Rusi.
Megjithatë, autoritetet tani kanë thënë se organizata nuk ka regjistrimin e duhur.
Kjo është goditja më e fundit e autoriteteve ruse pas mbylljes së dhjetra organizatave jopolitike dhe atyre opozitare.
Vendimi vjen pasi ministria ruse e Drejtësisë ngriti një padi duke kërkuar të mbyllet organizata që ne muajin dhjetor, duke argumentuar se ai ishte regjistruar vetëm për të mbrojtur të drejtat e njeriut në Moskë, jo në pjesë të tjera të vendit.
Grupi e quajti masën “disproporcionale” në atë kohë dhe tha se do të vazhdojë të funksionojë “pavarësisht nga dëshirat e autoriteteve”.
Në një deklaratë të mërkurën, MHG raportoi se përfaqësuesi i saj tha gjyqtarit dhe përfaqësuesve të ministrisë së drejtësisë se ishin duke bërë “një mëkat të madh” duke e mbyllur organizatën.
“Ju po shkatërroni lëvizjen për të drejtat e njeriut, po e shkatërroni atë”, tha Valery Borshov.
“Likuidimi i grupit është një goditje e rëndë për lëvizjen e të drejtave të njeriut jo vetëm në Rusi, por edhe në botë.”
Padia bazohej në inspektimet ad hoc të Ministrisë së Drejtësisë në MHG, të cilat grupi argumentoi se ishin të paligjshme. Grupi ka thënë se do të apelojë vendimin.
Nuk është hera e parë që MHG detyrohet të ndërpresë veprimtarinë e saj. Aktiviteti zgjati vetëm disa muaj pas fillimit të tij në vitet 1970, përpara se qeveria të burgoste ose të detyronte të largoheshin të gjithë anëtarët e saj në mërgim.
Ajo u krijua nga një grup disidentësh të njohur sovjetikë dhe u emërua sipas marrëveshjes së Helsinkit, një marrëveshje e gjerë ndërkombëtare e nënshkruar nga Bashkimi Sovjetik, e cila mbronte të drejtat e njeriut dhe liritë themelore.
Grupi u ringjall në fillim të viteve 1990, pas rënies së Bashkimit Sovjetik.