Për herë të parë që prej vitit 1918-s, Rusia dështon për shkak të pamundësisë për të paguar borxhin e jashtëm.
Moska ka anashkaluar për muaj sanksionet e vendosura nga perëndimi pas pushtimit rus të Ukrainës, por mbrëmjen e së dielës periudha e garancisë për gati 100 miliardë dollarë, pagesa që duhet të shlyheshin brenda 27 majit, skadoi, shkruan Aljazeera.
Nga ana tjetër Kremlini ka hedhur poshtë pretendimet. Në një deklaratë më gazetarët, zëdhënësi Dmitri Peskov u shpreh se këto pretendime janë të pavërteta dhe të paligjshme. “Pretendimet për falimentim të Rusisë janë të paligjshme. Pagesa në valutë të huaj është kryer në maj, por fakti që është bllokuar nga Euroclear për shkak të sanksioneve perëndimore kundër vendit tonë, nuk është problemi ynë”, tha Peskov.
Rusia është përballur më vështirësi për të shlyer detyrimet e papaguara prej 40 miliardë dollarësh, që prej nisjes së luftës në Ukrainë, në 24 shkurt, ndërsa sanksionet e perëndimit e kanë izoluar praktikisht vendin nga sistemi financiar global, duke i bërë asetet e saj të paprekshme për shumë investitorë.
Moska ka pretenduar prej kohësh se i ka paratë për të paguar dhe e ka cilësuar falimentimin si të pavërtetë.