Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Rudina Hajdari vjen me mesazh të ri: As Roma nuk u ndërtua në një ditë, por nëse vendosim nga një gur, sistemi ynë do bëhet KALA ku të strehohet demokracia (E PLOTË NË BRENDËSI)

Shkruar nga Newsbomb
Rudina Hajdari vjen me mesazh të ri: As Roma nuk u ndërtua në

Deputetja Rudina Hajdari shprehet e bindur se demokracia në vendin tonë do të vendoset.

Ajo ka publikuar në rrjetet sociale, fjalën e plotë gjatë Konferencës Kombëtare "Kostot e Demokracisë".

Sipas Hajdarit duhet të flitet dhe bërtitet më shumë për të gjitha mangësitë që ka sistemi ynë zgjedhor.

Përveç shkrimit, deputetja ka publikuar edhe një foto nga konferenca, ku ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim e shikon me kureshtje ndërkohë që ajo flet.

Postimi i plotë:

Kur nisa para dy vitesh një betejë për ndryshimin e sistemit zgjedhor, së bashku me aktorë të shoqërisë civile, kisha parasysh pamjet apo ngjarjet me të cilat vendi është hasur sa herë që ka zgjedhje.

Njerëz të armatosur, të cilet futen në qendra votimi e që jo rrallë kanë shkaktuar pothuajse në çdo zgjedhje edhe viktima;

Njerëz të armatosur të cilët kercënojnë votuesit, qoftë duke u kontrolluar votën nepërmjet aparateve celularë, apo duke u marrë kartat e identitetit për tu pamundësuar votimin;

Makina të cilat lëvizin natën dhe shërbejnë për të shpërndarë ose para cash, ose të mira materiale nepër shtëpitë e votuesve të varfër;

Biznese të cilat kërcënohen me gjoba apo mbyllje nëse nuk i vendosin shërbimet në funksion të fushatës elektorale;

Punonjës të administratës publike të cilët braktisin funksionet e tyre dhe nga mëngjesi në darkë i sheh të fushatojnë përkrah, ose për kandidatët e partisë ku militojnë;

Militantë të veshur si komisionerë të cilët shqyejnë votat e atyre partive që nuk kanë komisionerë;

E së fundmi, një parlament i mbushur kryesisht me njerëz të cilët nuk besojnë në asgjë tjetër, perveç kultit të kryetarit i cili i emëron në Kuvend, si rrjedhojë e mungesës së lidhjes mes elektoratit dhe deputetit, pra të votës së drejtpërdrejtë;

E gjithë kjo ekspoze, përkthehet në mungesë të theksuar të demokracisë, dhe pavarësisht se kush vjen në pushtet, cili indidvid apo parti politike, rezultati është gjithnjë i njëjtë.

Autokraci, korrupsion, keqadministrim, varfëri dhe mungesë zhvillimi ekonomik.

Sistemi zgjedhor dhe menaxhimi i tij është zemra e mekanizmit të demokracisë.

Nëse sistemi zgjedhor është i drejtë dhe garanton së pari barazinë mes atyre që garojnë, pra një garë mes të barabartesh, ku nuk përplasen bandat e njërës palë me palën tjeter, apo miliarderët e njerës palë me palën tjetër, por përplasen idetë zhvillimore mbi vendin, atëherë, mbas zgjedhjeve do të kemi një qeveri të ndershme dhe demokraci të vërtetë.

A i garanton sistemi që kemi sot këto kushte?

Unë them se jo.

E para, amendimet që iu bënë kodit zgjedhor e zhbënë gjithë kauzen popullore të hapjes së listave, duke mos ia mundësuar qytetarit që ta zgjedhë deputetin. Për rrjedhojë edhe parlamenti i ardhshëm, kryesisht do të jetë i mbushur me njerëz që i shërbejnë kryetarit e jo qytetarit. Për rrjedhojë unë pres që avazi i votimit qorrazi të koncesioneve apo vendimeve absurde dhe abuzive të vazhdojë, apo nuk do habitesha nëse fenomeni i djegies së mandateve të përsëritej sërish.

E dyta, edhe pse janë bërë disa përmirësime në kod përsa i përket lidhjes së politikës me krimin, apo përdorimit të administratës, mungon kryekëput vullneti për t’i zbatuar këto vendime.  E ligjet pa vullnet, janë thjesht një copë letër e bardhë me ca gërma të zeza pa asnjë kuptim. E gjithë administrata sot është në betejë për vota, teksa ne po flasim, e fatkeqësisht, krimi I organizuar është po aq në ethe elektorale sa edhe kryetarët e partive, pra të perfshirë në fushatë sa për një parti apo për tjetrën në bazë të lidhjeve që kanë.

Si dalim që këtu?

Unë nuk jam pesimiste, jam thjesht realiste. Më pëlqen ta shoh dhe ta flas realitetin ashtu siç është. Në fund të tunelit tonë ka dritë, dhe kjo konferencë është një nga ato rrezet e dritës të cilat depërtojnë.

Na duhet të flasim më shumë, të bërtasim më shumë në fakt, për të gjitha mangësitë që ka sistemi ynë zgjedhor. Na duhet të bashkohemi dhe organizohemi më shumë, të gjithë ne që na intereson një sistem i drejtë, të bashkëpunojmë më shumë e më mirë me partnerët tanë  si SHBA apo BE, të mobilizojmë më shumë e më mirë qytetarët që ta kuptojnë se sa e rëndësishme është për ta dhe të ardhmen e fëmijeve një sistem i drejtë zgjedhor.

Nuk do bëhet për një ditë, por as Roma nuk u ndërtua në një ditë, ama nëse secili vendos çdo ditë një gur, duke folur e duke vepruar, jam e sigurtë se sistemi ynë do bëhet kala ku të strehohet demokracia dhe zhvillimi i vendit.

E kam bindje këtë dhe jam e sigurtë se do të realizohet.

Ju falenderoj!

*Fjala e mbajtur sot në Konferencën Kombëtare  "Kostot e Demokracisë".

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll