
Deputetja Rudina Hajdari ka zhvilluar një video-konferencë me ambasadoren e SHBA në Tiranë Yuri Kim, të cilën e ka informuar për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen shumë familje shqiptare për shkak të izolimit nga covid-19.
Hajdari shkruan se i ka shprehur shqetësimet e saj ambasadores Kim dhe për ndryshimet në Kodin Penal, për dënimin me burg të personave që shkelin rregullat e karantinës. “Gjithashtu shpreha shqetësimet e mia për gjendjen emergjente nga COVID-19, mbi ndryshimet e Kodit Penal, të cilat janë të panevojshme e sidomos përmenda faktin se këto ndryshime cënojnë Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut”, shkruan ndër të tjera Rudina Hajdari.
Shkrimi i plotë i deputetes:
Kënaqësi të bashkëbisedoja nëpërmjet video-konferencës me Ambasadoren amerikane Znj. Yuri Kim, mbi situatën e tanishme në Shqipëri.
E informova për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen shumë familje shqiptare, realitet të cilin e kam prekur këto ditë teksa jam munduar të ndihmoj sado pak këto familje në nevojë.
Gjithashtu shpreha shqetësimet e mia për gjendjen emergjente nga COVID-19, mbi ndryshimet e Kodit Penal, të cilat janë të panevojshme e sidomos përmenda faktin se këto ndryshime cënojnë Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjeta rastin të falenderoja ambasadoren për kontributin e SHBA-së, me pajisje personale të mbrojtjes nga programi për Asistencë Humanitare i Komandës Europiane të Shteteve të Bashkuara në mbrojtjen e punonjësve të shëndetit në vijën e parë të luftës kundër COVID-19.