Hapësire reklamuese

Aktualitet

“Rrugët e Shkodrës n’Karnaval”: Tri ditë festë, si dikur dhe kurrë më parë!

Shkruar nga Newsbomb

Vetëm dy ditë larg startimit të tyre, “Karnavalet e Shkodrës” kanë tërhequr një vëmendje dhe interes të jashtëzakonshëm. Jo vetëm te vetë shkodranët, por edhe në media dhe pjesën tjetër të vendit. Ndoshta kjo sepse të gjithë mezi e kemi pritur ditën kur Shkodra të rimerrte shkëlqimin e dikurshëm dhe të zgjonte interesin që meriton për turistët vendas.

Dhe gjithë ky interes, kureshtje e pritshmëri do të shpërblehet njëqind përqind në tre ditët e aktiviteteve të “Karnavaleve të Shkodrës”, për këtë jemi mëse të sigurtë. “Pse?”, do të pyesni ju... Po sepse dimë kalendarin e aktiviteteve dhe ata janë njëri më i bukur se tjetri! Përveçse interesante, këto aktivitete janë gjithashtu gjithëpërfshirëse: Dita e parë iu kushtohet fëmijëvë, e dyta të rinjve dhe e treta e finalja, të gjithëve.

“Rrugët e Shkodrës n’Karnaval” do të nisin të premten, më 23 shkurt, pikërisht me paradën e fëmijëve. Pastaj të gjitha shkollat do të mblidhen në një vend të përbashkët ku njëra pas tjetrës do të ngjisin në skenë edhe shfaqjet e tyre, duke çelur kështu siparin e festimeve. Çdo shkollë do paraqitet me temat respektive, duke u fokusuar në fusha të ndryshme si arti, teknologjia, mbrojtja e mjedisit, etj. Në fund një juri do të vlerësojë dhe shfaqjen më të mirë. Por dita e parë nuk do të ketë vetëm kaq. Do të ketë edhe dy kënde puntorie, si ai i kllounatave dhe i punimit të maskave e do të kulmojë me një shfaqje dritash, ose lightshow.

Dita e dytë e “Karnavaleve të Shkodrës” do t’u dedikohet të rinjve. Parashikohet që çdo gjimnaz të ngjitet në skenë me një shfaqje, në bazë të minutazhit të caktuar nga grupi organizativ dhe sigurisht, në fund të shfaqjeve, njëra më e bukur se tjetra, do të shpallet një fitues. Përveç shfaqjeve të të rinjve do të mbahen edhe tre puntori, si ajo e kllounatave, e punimit të maskave dhe e makeup artist-ëve. Parada e çifteve me kostume e maska veneciane do të pasohet nga një lightshow dhe një koncert surprizë.

Kështu mbyllet dita e dytë për t’ia lënë vendin ditës së tretë e finale, që do të jetë edhe ajo e spektaklit të vërtetë, ku do të ketë parada, muzikë, bejte, artistë të mirënjohur dhe elemente unike, si djegia e dordolecit në mbyllje të ditës. Do të performojnë artiste si Rezarta Smaja, Ketlin Pjalmi, Martina Serreqi apo Savjana Vjerdha. Në 17:15 do të nisë marshimi drejt dordolecit, i cili do të pasohet nga një dragon show dhe djegia e dordolecit. Ndërkohë, në të treja mbrëmjet do të ketë festime në mbi tridhjetë bare, restorante e hotele.

“Karnavalet e Shkodrës” janë gati t’ju dhurojnë një nga përvojat më të paharrueshme këtë vit, duke i kthyer kështu shkëlqimin e merituar qytetit. Shkodra është gati. Po ti, a je gati? Rrëmbe maskën tënde dhe #gzonëshkodër!

 

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese