Prokuroria është duke mbyllur kallëzimin penal për Ridvan Boden. Kallzimi është bërë nga ministri i Financave Shkëlqim Cani, për marrjen e një kredie me interes 13% në kohën kur ishte në krye të Ministrisë së Financave për Rrugën e Kombit.
Po kështu në kallzimin e kryer nga Cani, një pjesë e rëndësishme e tij ishte edhe akuza për paracaktim të fituesit nga anëtarët e Komisionit të Vlerësimit. Sipas gazetës “Shqip”, fillimisht kallzimi u bë në Prokurorinë e Përgjithshme e më pas kryerja e hetimeve u transferua në Prokurorinë e Tiranës. E gjendur në fazën e mbledhjes së provave, burime të Prokurorisë bëjnë me dije për “Shqip” se nuk mendohet që në punën për dosjen të ketë ndonjë të dhënë të rëndësishme që mund të shkojë deri në ngritjen e akuzës në emra të përveçëm, siç është ai i Bodes.
Provat, për kredinë e marrë për rrugën Durrës-Kukës-Morinë po mblidhen në Ministrinë e Financave, por duket se gjasat janë të pakta që Prokuroria të rezultojë në një akuzë kundër ish-ministrit të Financave Ridvan Bode.
Kredia prej 250 milionë eurosh u mor nga Ministria e Financave në një konsorcium bankash. Kallzimi I ministrit Cani ka të bëjë me shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera, duke I shkaktuar shtetit një dëm prej 60 milionë eurosh.