Hapësire reklamuese

Aktualitet

Rritja në detyrë e gjyqtarëve, KLGJ mbledhje me ‘dyer të mbyllura’

Shkruar nga Newsbomb
Rritja në detyrë e gjyqtarëve, KLGJ mbledhje me ‘dyer

Mbledhja plenare e Këshillit të Lartë Gjyqësor kishte një axhendë të ngjeshur të enjten, ku mes pikave ta planifikuara, procedurat e ngritjes në detyrë të gjyqtarëve për në Gjykatën e Lartë u zhvilluan me dyer të mbyllura.

Zëvendëskryetari i KLGJ-së, Ilir Rusi deklaroi pas shqyrtimit të 10 pikave të para, se mbledhja do të vijonte me dyer të mbyllura për shkak të specifikave të çështjeve që do të trajtoheshin.

Sipas koordinatores për të drejtën e informimit pranë KLGJ-së, Terpsina Lazaj, dy gjyqtarët që garojnë për një pozicion të lirë në fushën penale në Gjykatën e Lartë janë gjyqtarët Rexhep Bekteshi dhe Taulant Banushi. Në përfundim të mbledhjes që zgjati për më shumë se gjashtë orë duke përfshirë dhe ndërprerjet dhe kohën me dyer të mbyllura, Lazaj i tha BIRN se nuk kishte pasur ndonjë vendimarrje për kualifikimin ose skualifikimin e gjyqtarëve Bekteshi dhe Banushi, pasi ishte vendosur shtyrja për verifikime të mëtejshme.

Për afro një orë e gjysmë, anëtarët e KLGJ-së zhvilluan diskutime me dyer të mbyllura, për të cilat drejtorja e Shërbimeve Juridike dhe Marrdhënieve me Jashtë pranë këtij institucioni, Blerta Ngucaj, i tha BIRN se kishin të bënin me çështje administrative. Dy zyrtarë të KLGJ-së raportuan para 10 anëtarëve të pranishëm për çështje të cilat mbeten të fshehta për publikun.

Të enjten pritej të shqyrtohej edhe projektvendimi “Për miratimin e udhëzuesit standard të marrëdhënieve të gjykatave me publikun dhe median”, por me kërkesë të anëtarit Alban Toro, kjo çështje u shty për t'u trajtuar një herë tjetër. Toro kërkoi më shumë kohë për t'u njohur me projektvendimin dhe të dhënat e tjera.

Për shkak të transferimeve të gjyqtarëve gjatë muajve të fundit, nga disa gjykata të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm janë larguar edhe ata të caktuar për marrëdhënien me median. Bazuar në këtë situatë, KLGJ caktoi caktoi gjyqtarët e rinj për median në këto gjykata. Në Elbasan u caktua gjyqtari Ardit Kuka; në Gjirokastër gjyqtarja Marjola Beluli; në Sarandë gjyqtari Dejvi Çelçima; në Lezhë, gjyqtari Renis Sheshi dhe në Dibër, gjyqtarja Suela Lila. Po ashtu, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar u caktua gjyqtar për median, gjyqtari Erion Bani, me argumentin se është ngritur si shqetësim dhe kërkesë nga kjo gjykatë, si dhe për specifikën dhe sensivitetin e çështjeve që trajtohen aty.

Në mbledhje u miratuan ndër të tjera hapja e procedurës së komandimit në Shkollën e Magjistraturës si pedagog të një gjyqtari; u përcaktuan pagat për gjyqtarët; si dhe u vlerësuan shkëlqyeshëm gjyqarja Okleda Liçe dhe gjyqtari Genti Shala./ BIRN

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese