Hapësire reklamuese

Politikë

Rregullorja e re e Kuvendit për mediat, ISP: Nuk është konsultuar me grupet e interesit, deputetët që kanë marrë vendimin s’do jenë në shtator

Shkruar nga Newsbomb

Instituti i Studimeve Politike, reagon për shqetësimin e ngritur nga media për rregulloren e re Kuvendit të Shqipërisë. Sipas kësaj të fundit, mediat nuk do të mund të ndjekin direkt punimet e Komisioneve parlamentare, por pamjet do t’iu shpërndahen gazetarëve nga Kuvendi.

“Miratimi i rregullores së re për median në këto rrethana nuk garanton të drejtën e informimit, por e cenon atë, krijon pabarazi midis medias, mbron interesin e deputetëve dhe jo të publikut, si dhe vjen në momentet kur edhe institucione të tjera, përfshirë e gjithë piramida vendimmarrëse e pushtetit ekzekutiv dhe vetë partitë parlamentare, kanë bërë hap pas në të drejtën e informimit, transparencën dhe llogaridhënien publike”, thuhet ndër të tjera në reagimin e ISP.

Reagimi i plotë:

Instituti i Studimeve Politike (ISP), duke qenë organizata e vetme që monitoron aktivitetin e Kuvendit të RSH (2016-2022), shpreh shqetësimin lidhur me vendimin nr.82, datë 2.6.2021 të Byrosë së Kuvendit për miratimin e rregullores për akreditimin, akomodimin dhe orientimin e masmedieve pranë Kuvendit të Shqipërisë.

Kuvendi ka informuar prej kohësh idenë e një sistemi të ri informimi në institucion, por me premtimin konstant se çdo vendimmarrje do të ishte transparente, e konsultuar me median dhe grupet e interesit dhe në funksion të parimit të garantimit të së drejtës së informimit dhe transparencës në raport me publikun.

Rregullorja e miratuar rezulton se nuk është konsultuar me grupet e interesit, komuniteti i medias që mbulon Kuvendin rezulton se ka qëndrime kritike, si dhe ISP dhe organizata të tjera të shoqërisë civile nuk janë ftuar për të dhënë opinione konsultative, siç është vepruar e vijon të veprohet me disa akte të tjera rregullatore apo raportime vjetore më të parëndësishme të Kuvendit.

Vendimi rezulton të jetë i marrë nga Byroja e Kuvendit, shumica absolute e anëtarëve të së cilës nuk do të jenë më deputetë në legjislaturën e re parlamentare. Një vendim i tillë me impakt në standardet e informimit në legjislaturën e re do të duhej të ishte sa më konsensual dhe më gjithëpërfshirës, si dhe do të duhej të merrte në konsideratë standardet më të mira të vendeve të BE-së.

Në një demokraci funksionale akte të veçanta kanë vlerë e dobi vetëm nëse janë pjesë e një mozaiku ligjor dhe administrativ që garanton zbatimin e parimeve, ndërkohë që ky akt vjen në momentin kur vetë parlamenti funksionon në sistem online, dhe siç konstatohet lehtësisht nga faqja zyrtare, me mungesa të theksuara të informacionit publik (procesverbale, të dhëna për konsultimet e akteve, të dhënat për pjesëmarrjen reale në komisione, të dhëna për procedurat etj).

Miratimi i rregullores së re për median në këto rrethana nuk garanton të drejtën e informimit, por e cenon atë, krijon pabarazi midis medias, mbron interesin e deputetëve dhe jo të publikut, si dhe vjen në momentet kur edhe institucione të tjera, përfshirë e gjithë piramida vendimmarrëse e pushtetit ekzekutiv dhe vetë partitë parlamentare, kanë bërë hap pas në të drejtën e informimit, transparencën dhe llogaridhënien publike.

Instituti i Studimeve Politike (ISP) i bashkohet shqetësimit të reporterëve të medias dhe apelon Kuvendin për rishikimin e këtij vendimi, respektimin e detyrimit ligjor për konsultimet publike, si dhe në tërësi për një qasje të re institucionale lidhur me transparencën, informimin dhe llogaridhënien publike.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll