Vëllezërit Gerald Marini 38 vjeç, Marjus Marini 42 vjeç dhe Arjan Marini 40 vjeç, janë arrestuar në kushtet e flagrancës nga Policia e Beratit, pasi mbrëmjen e djeshme kanë dhunuar policin e patrullës Julian Xhelili dhe kanë tentuar t’i marrin armën e shërbimit.
Efektivi Julian Xhelili pavarësisht konfrontimit fizik me tre vëllezërit Gerald Marini, Marjus Marini dhe Arjan Marini e ka mbrojtur me çdo kusht armën e shërbimit, duke mos lejuar t’ia merrnin. Në këtë moment pistoleta ka bërë qitje të pavullnetshme dhe për pasojë efektivi është plagosur në këmbë.
Për ngjarjen, veç tre të arrestuarëve në kërkim është shpallur dhe vëllai i katërt i tyre, shtetasi me incialet A.M.
Njoftimi i Policisë:
Nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Berat, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Gerald Marini 38 vjeç, Marjus Marini 42 vjeç dhe Arjan Marini 40 vjeç, si dhe u shpall në kërkim vëllai i tyre shtetasi A.M.
Këta shtetas gjatë një konflikti për motive të dobëta i kanë shkaktuar dëmtime të lehta shtetasit A.M dhe bashkëshortes së tij shtetases O.M.
Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, vëllezërit kanë dhunuar, goditur dhe kanë tentuar ti marrin armën e shërbimit njërit prej punonjësve të policisë dhe gjatë konfrontimit fizik dyshohet se arma ka kryer qitje të pavullnetshme ku është plagosur në këmbë punonjësi i policisë J.Xh, i cili pasi mori mjekim në Spitalin Rajonal Berat u transportua për në Spitalin e Traumës Tiranë, për ndihmë mjeksore më të specializuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Plagosje e lehtë me dashje”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë”.