Historiani Neritan Ceka ka folur për rishkrimin e historisë në emisionin “Open” duke thënë se nuk duhet të paragjykohet grupi i punës ende pa filluar puna dhe e cilëson si të pavend debatin për politizimin e kësaj çështjeje.
Sipas Cekës, nuk duhet të paragjykohet mënyra e zgjedhjes sepse kushdo që i përket grupit të punës vjen nga studime të shumta dhe i jep një tjetër frymë këtij projekti.
Neritan Ceka: Grupi i punës nuk mund të paragjykohet sepse janë të gjithë nga institucione të ndryshme. Shumë pak janë akademikë të mirëfilltë dhe pjesa tjetër vijnë nga institutet dhe nga universitetet. Nuk paragjykohet dhe mënyra e zgjedhjes. Mua personalisht m’u ngarkua që të gjejë persona që do shkruajnë historinë e antikitetit, kam gjetur më shumë se sa duhet, megjithatë i dhamë një frymëmarrje më të gjerë duke mos u nisur nga paragjykimi. Debati për politizimin në përgjithësi më duket pa vend sepse praktika e një hartimi të një teksti normativ nga Akademia nuk është përvetësuar apo bërë nga një grup i ngushtë, është përhapur në institucione të ndryshme, përzgjedhja nuk i është dhënë kryesisë së akademisë.