Ministrja e Arsimit Besa Shahini deklaroi pak momente më parë se ishte zhgënjyer nga vendimi i presidentit Ilir Meta, i cili i refuzoi kërkesën për shkarkimin e rektorit të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni.
Menjëherë pas kësaj ka reaguar zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi, i cili thotë se si asnjëherë më parë presidenti ka folur me argumenta ligjorë.
Blushi i kërkon Shahinit të mbajë përgjegjësinë e saj të plotë për zbatimin e Reformës në Arsimin e Lartë.
Reagim i zëdhënësit të Presidentit të Republikës, Tedi Blushi:
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta në dekretin e tij për rrëzimin e propozimit për shkarkimin e rektorit të Universitetit të Tiranës, z.Mynyr Koni ka folur me argumenta ligjorë më gjatë se kurdoherë tjetër.
Ministria e Arsimit duhet të mbajë përgjegjësinë e saj të plotë për zbatimin e Reformës në Arsimin e Lartë dhe nëse nuk është dakord me argumentat ligjorë të bëra publike nga Presidenti, të ndjekë procedurën që dikton ligji, përtej retorikave boshe.
Institucionet e Arsimit të Lartë janë autonome dhe askush nuk duhet të guxojë të prekë pavarësinë e tyre.