Revista Newsbomb.al vjen me numrin e njëzetenjë, nga sot në të gjitha pikat e shitjes! Po ashtu, mund të abonoheni dhe online, për të gjithë revistën, ose vetëm materialet ekskluzive që ju interesojnë.
Këto janë disa nga materialet që do të gjeni në këtë numër:
SPAÇ, 50 VJET NGA FERRI QË S’DUHET HARRUAR! Maji i këtij viti duhet të shënohet në kalendar si Maji i 50 vjetorit të revoltës së parë të madhe në burgun e Spaçit. Në 21 maj 1973 të burgosurit e Spaçit, të paorganizuar, nisur nga shkëndija e 32 vjeçarit Pal Zefi që refuzoi izolimin e u ngjit në taracën e burgut, vazhduan me tre ditë kryengritje.
JETA E KATËRT E PRESIDENT ALFRED MOISUT! Burrështetasi 94 vjeçar rrëfen të kaluarën dhe të sotmen, bisedat me Ramën, këshillat për Berishën, nuhatja e fortë politike për zgjedhjet lokale, amanetet dhe trashëgimia e tij.
TË FESHEHTAT E ZGJEDHJEVE 2023: ROLI I FISEVE, OLIGARKËVE, PARTIVE DHE ODIHR! Nga Tallavaja, te mbështetja e artistëve, apo ndarja e opozitës e posterat elektoralë, kjo fushatë do të mbahet mend gjatë për spektaklin, por jo për vendosjen në qendër të vëmendjes dhe të platformave kandidatin. Simbolika dhe kontraste të thella mes retorikës dhe akteve konkrete, janë kryefjala e saj.
BANKA BOTËRORE, “DHURATË” QEVERISË PARA ZGJEDHJEVE! Si rrallë ndonjëherë, Banka Botërore në raportin e prillit 2023 flet me superlativa për ekonominë shqiptare, shprehje që nuk i ka përdorur për ndonjë vend tjetër të rajonit, edhe pse në disa tregues mund të kenë të dhëna më të mira sesa Shqipëria.
KATËR SHOKËT DOKTORË KAVAJAS, QË SJELLIN BUKURINË E JETËS DHE MADHËSHTINË E QYTETIT! Historia e katër doktorëve që morën titullin “Qytetar Nderi” nga bashkia e Kavajës, është nga ato historitë e vogla, që krijohen nga vetë njeriu, rrinë në heshtje se vetë ata i ndrydhin, del një shkëndijë diku si një foto rastësore e publikuar prej tyre në rrjetet sociale, dhe më pas bëhet virale për t’u kthyer në një trend i ditës dhe javës.
SUPERFOSFATI I LAÇIT “VRASJA” QË VJEN NGA SHKËLQIMI I DJESHËM! Bujar Dine ishte 28 vjeç kur filloi punë në Uzinë, ndërsa profesor-doktore Magdalena Cara ishte vetëm 25 vjeç kur prej aty mori rrogën e saj të parë. Në një rrëfim ndryshe për Newsbomb.al tregojnë punën në Superfosfatin e Laçit, ndërmarrjen e krijuar që në 1967 nga kinezët për të prodhuar plehrat kimike aq të nevojshme për bujqësinë.
DIVJAKË-KARAVASTA PARKU PA ZOT E ME NJË DREJTOR “HEROIK”! Ndoshta ishte zhurmë që duhej bërë, por shkarkimi i Ardian Koçit nga detyra e drejtuesit të parkut të Karavastasë e ktheu edhe njëherë Parkun në qendër të vëmendjes. Tani gazetarët janë kuriozë dhe shkojnë aty të kuptojnë se çfarë ka ndodhur. Dhe ka ndodhur si mos më keq, një keqmenaxhim nga ana e ministrisë.
TË PATHËNAT E EKZEKUTIMIT TË BIZNESMENIT, NGA TURISTI-VRASËS! 500 mijë euro besohet të jenë dhënë për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, por askush në Shqipëri nuk i kishte marrë paratë, edhe pse ka nga ata që kanë vrarë për 10 mijë euro. E quante mision të pamundur ekzekutimin e një prej personave më influentë në Lezhë.
RAJMONDA BULKU, SI DITËN E PARË…! Është e çuditshme por sa herë e shikon Rajmonda Bulkun të duket po aq e bukur si ditën e parë kur “trokiti” në familjet shqiptare me filmin “Dimri i fundit”. S’kishte asnjë lidhje me kinemanë asokohe (përveç një fotoje në moshën 1 vjeçare me një biletë kinemaje në dorë).
SKËNDERBEU I ARTË "RILIND" NË QYTETIN E SERENATAVE! Ata u dënuan nga UEFA për 10 vite për të mos luajtur në kompeticionet evropiane me akuzën e trukimit të ndeshjeve. Pas kësaj, historia me Skënderbeun mori tatëpjetën, për shumë vite. Por Ardian Takaj, presidenti i këtij klubi nuk u dorëzua. Ringriti Skënderbeun, për ta rikthyer në garën e Superiores.
ERDHI PRANVERA, THIRRA MENJËHERË! Pranvera ka shpërthyer. Gjithnjë e më tepër po organizohen arratisjet e para nga qyteti, kanë filluar festat e para në natyrë dhe rrjedhimisht ne “thashethemaxhinjtë” e këtij nga qyteti vdesim të dimë si është veshur njëri dhe si është veshur tjetri. (Ka nga ata që vishen skandal në fakt por s’po përmend emra)…