Hapësire reklamuese

Aktualitet

Revista Newsbomb.al vjen me numrin e ri, ja artikujt që do të lexoni

Shkruar nga Newsbomb
Revista Newsbomb.al vjen me numrin e ri, ja artikujt që do të lexoni

Revista Newsbomb.al vjen me numrin e tridhjetë, nga sot në të gjitha pikat e shitjes! Po ashtu, mund të abonoheni dhe online, për të gjithë revistën, ose vetëm materialet ekskluzive që ju interesojnë.

Më poshtë, janë disa nga materialet që do të gjeni në këtë numër të ri:

Edi Rama kryeministër, detyra e fundit politike! Sot ju sjellim këtë intervistë me Edi Ramën. Do të isha cinike e padrejtë të pretendoja se një sentencë të tillë të përafërt ta gjeja në këtë rrëfim të sinqertë të Edit, ku për momentin, mes rreshtave dhe pyetjeve, më bënë sytë “xixa” ndërsa lexova thënien se “kryeministri ishte zyra e tij e fundit”, e pas kësaj nisën një mori mesazhesh për kontekstin, nëse e kishte fjalën për mandatin e tretë??? Debatet nuk shterën përsa kohë që Rama më shkruante se përgjigja ishte brenda kontestit të pyetjes për pozicionin që do të donte pas kryeministrit, e kështu, vazhdoi….siç do ta lexoni dhe ju dy tri herë xhanëm atë paragraf. Por siç e themi shpesh, njerëzit kanë “harruar” të lexojnë e ndoshta për këtë, i kemi punët siç i kemi ndonjëherë në këtë Shqipërinë tonë “hallemadhe”.

Kontradiktat e ekonomisë së kullëzimit: Le të hyjmë në logjikën e shifrave që të kuptojmë. Vetëm në dekadën e fundit të qeverisjes socialiste. Sektori i ndërtimit u rrit me 35 përqind dhe kap vlerën e 2,5 miliardë euro në vit. Në pesë vjeçarin e fundit u miratuan leje për 10 milionë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi me një vlerë investimi prej 4,1 miliardë eurosh. Shumica e lejeve të dhëna, afërsisht 7 milionë metra katrorë ndërtim janë në Tiranë dhe pjesa tjetër në zona bregdetare. Çmimet e rezidencave të banimit në kryeqytet janë rritur mbi 40 % në 10-vjeçarin e fundit, por ka edhe 274 mijë apartamente bosh në gjithë Shqipërinë, të pashitura. Çfarë po ndodh me këtë boom ndërtimesh?

Ndotje në kufijtë e sëmundjes së kancerit: Nëse do të ishin ndjekur rregulla të studiuara urbane, Tirana nuk do të kishte kaosin që ka sot dhe sigurisht atë që do të ketë nesër. Mjafton të mendosh vetëm nisjen e banimit të kullave te Diga e liqenit Artificial për të kuptuar se pjesa e kryesore dhe më e bukur e Tiranës së Re nuk do të ketë më mundësi depërtimi brenda në qytet për shkak të trafikut që do të krijojë, i cili nuk mungon dhe sot. Trafiku, ndotja e ajrit, përmbytjet, mungesa e pemëve, janë dukuri që sot duket se nuk shqetësojnë kënd, por për pasojat që kanë në cilësinë e jetës dhe shëndet do të kthehen në një problem të rëndë social në të ardhmen. Te kjo nuk numërohet stresi, mungesa e parkingjeve, ndërtimi i infrastrukturës komunitare me çerdhe, kopshte, shkolla, qendra shëndetësore, stacione policie dhe shërbime publike. Nuk numërohet as trotuari që herë është dhe herë nuk është duke u bërë shumë herë burim për aksidente, dhe as mungesa e parqeve dhe qendrave kulturore që të ndihmojnë në qetësinë mendore. Te fatura e rëndë sociale duhet të llogaritet kosto e ndërtimit në shëndet.

Biblioteka kombëtare, dija e humbur në arka bananesh: Koncertet bëhen aty ku zhvillohen panairet, madje edhe filmat prezantohen në Pallatin e Kongreseve. Artistët e cirkut performojnë në festa rrugëve, ose në dasma e ditëlindje. Nuk kemi Galeri, Muzeu nuk po ekspozon më, fëmijët nuk kanë më teatër kukullash, ndërsa të rriturit nuk kanë më Bibliotekë për të tërhequr libra. Vendi ka ngelur pa institucionet kombëtare. Thuajse shumica prej tyre janë në rikonstruksion, rijetëzim, rishikim e rilindje madje. Mirëpo, sado bukur është që për një dekadë t’i kesh të gjitha ndërtesat e reja, po aq edhe e vështirë është për qytetarët e një vendi që nuk gjejnë dot oaze kulture. Nuk flasim këtu për Gjirokastrën apo Sarandën, apo të tjera rrethe ku të rinjtë nuk kanë shkuar asnjëherë në kinema se nuk e kanë një të tillë në qytetin e tyre prej thuasje 30 vitesh. Por, për të gjitha institucionet kombëtare.

Eltar Deda, doktori që po kuron nëntokën: Shoqëria e vetme shtetërore e nxjerrjes së naftës në Shqipëri drejtohet prej më shumë se një viti nga Eltar Deda, një figurë sa teknike aq dhe politike me një karrierë të gjerë dhe të suksesshme në krye të institucioneve të ndryshme shtetërore dhe private. Një njeri i reformave që po shëndosh financat e “Albpetrol” SH.A me projekte, ide dhe vizionin për t’i rikthyer kompanisë dinjitetin dhe prestigjin që ajo meriton. Megjithatë, ai thekson se efiçenca dhe gjithë të tjerat nuk mund të vijnë vetëm falë punës së tij, por është një përpjekje madhore që e ka nisur bashkë me punonjësit e të gjitha niveleve. Në këtë intervistë ekskluzive për Revistën Neës[1]bomb.al, Eltar Deda tregon se ka marrë dhe besimin dhe mbështetjen e ministres Belinda Balluku për nisjen e një reforme të thellë e cila ka synuar ristrukturimin e kompanisë, përmes një qasje krejt të re në automatizimin e proceseve të punës dhe investimeve për rritjen e rendimentit.

Konservat si të Vlorës, kombinati që eksportonte për Gjermaninë: Në Vlorën e bukur të viteve ’50, atëherë ku jeta kishte filluar të gëlonte e ku partia kishte vendosur hapjen e sa më shumë fabrikave me “forcat tona”, u ngrit kombinati industrial “E.Telman” në qytetin e Vlorës. Kushdo që ka jetuar atëkohë, i mban mend aq mirë araxhatat që dilnin nga ky kombinat. Nuk kanë lidhje me pijet energjike që konsumojnë sot të rinjtë. Po konservat e peshkut. Kullonin nga vaji i ullirit bio që prodhohej po në zonë, e salca e domateve të freskëta. Këto, gjendeshin më pak në raftet e dyqaneve nëpër Shqipëri. Sapo hidhte qeveria ndonjë pjesë për qytetarët, radha bëhej e madhe për ti marrë. Më shpesh gjendeshin konservat me mishin e derrit. Por nga ky kombinat prodhoheshin edhe turshitë, recelërat, pijet e ndryshme. Gjithçka që futej në një kanaçe, kavanoz a kuti, dukej se dilte nga kombinati industrial ushqimor i Vlorës. E si e kujtojnë sot punëtorët që kanë shërbyer aty dikur?

UAU! Ka dhe vajza me forcë të paepur si Uljanova e parukeve! Në rrugën e jetës, qëndron një histori, e një shpirti të testuar nga stuhitë e jetës, por që refuzon të thyhet. E tillë është edhe historia e Uljanova Çalit, një gruaje, udhëtimi jetësor i së cilës bashkon shtigjet e humbjes, fatkeqësisë dhe forcës së paepur. Pavarësisht se gjatë gjithë jetës së saj është përballur me sfida të paimagjinueshme, nga rritja jetime deri te lufta me kancerin, ajo është një fener shprese dhe frymëzimi për të tjerët të cilët ecin në një rrugë të ngjashme.

Me syrin e një fotografi...: Fotografia shqiptare ka traditë po aq sa fotografia botërore. Në Francë, një fotografi u bë nga viti 1826 a ’27. E shqiptarët, e patën shkrepjen e tyre të parë në 1858, vetëm 31 vite më pas. Fotot e para i takojnë Pjetër Marubit, e mandej, shkolla e fotografisë shqiptare u zgjerua e perfeksionua. Pakkush e di sot nga fotografët e rinj se Gega, djali i Kel Kodhelit, apo Kel Marubit siç e njohin, ishte i pari i huaj që u bë pjesë e shkollës së parë të fotografisë Lymier në Francë duke sjellë në vend, një përvojë sa interesante, aq edhe moderne të fotografisë së kohës. E vitet ‘900 sjellin një zhvillim të shpejtë në lëmin e fotografisë. Në çdo qytet, modest ose jo, pati nga një studio fotografie që ka lënë gjurmë duke dokumentar personazhet e ngjarjet. Nga këta njerëz, që pakkush i njeh sot, kemi foton e Mësonjtores së parë Shqipe, apo imazhin e Isa Boletit, apo festimet e 1 vjetorit të Pavarësisë. Janë ngjarje që kanë shenjuar memorien e kombit tonë, pavarësisht se sot pakkush i kujton. E për të ardhur deri në ditët e sotme, ku të jesh fotograf është e lehtë në dukje, pasiqë, zhvillimi i teknologjisë i ka kthyer të tillë.

Ema Andrea në një rrëfim për gruan: Është viktimë e vetes! Kur rrënjët janë të forta, të ushqyera mirë, esencialisht të dizejnuara për të çuar dhe ruajtur lëndën që duhet për jetën në to, edhe në terrenet më të egra, një bimë mundet të rritet e fortë, të shtrijë ekzistencën e saj e lirë, e aftë për t’i bërë ballë çdo stuhie, apo të dehë e të joshë me aromat e saj në kohët e mira. Madje këto të fundit janë shumë më të forta, kur toka është e egër, e thatë, e vështirë. Të tilla krijesa janë ndër më të rrallat. Jo çdokush mundet të qëndrojë drejt përballë sfidave të kohës, e aq më pak, të mundet të rritet prej tyre. Kjo është metafora që besoj se do t’i qëndronte më mirë Ema Andreas, për të cilën duket se ekzistenca e saj si grua dhe aktore, është e paracaktuar për të na dhuruar emocione të forta në skenë dhe të na dhurojë kënaqësinë e së vërtetës në çdo komunikim apo bisedë që ndan me publikun.

Dëshira e Agim Ademit: Politikë, Kosovë-Shqipëri...bëje një: “Politika të na bashkojë, vetëm disa orë na duhen për një Kombëtare”, këto fjalë kumbuan në veshin, por dhe në mendjen time. Dëshirën e kishte të pastër, të kulluar, ashtu sikurse të gjithë shqiptarët duan. Pasionant, profesionist dhe mjaft i zhdërvjellët. Nuk donte të humbte asnjë minutë. Prej ditësh i kisha kërkuar një intervistë, por kohën fizike e kishte të limituar. Andaj, një ditë më ra telefoni: “Dëgjo, unë po vozis. A mundemi ta bëjmë tani të flasim?” Dukej që Agim Ademi ishte i përpiktë dhe nuk i pëlqentë t’i zvarriste punët. Nuk kishte përgjigje standarte, përkundrazi. Në një rrëfim enkas për revistën NeësBomb.al, tregoi gjashtë vitet në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës, por edhe objektivat për të ardhmen.

Shkurt e shqip: Le të kthehemi tek garderoba jonë me një mendim goxha frymëzues, që dita ditës do të kemi më shumë hapësirë për ta mirëorganizuar pasi dimri po shkon bashkë me valixhen gjigande me peliçe dhe xhupa… Ndaj shkurt e shqip përqafojini të mirat e mëdha të Shqipërisë së vogël dhe mbajini shënim ose screen disa ide se si të visheni bukur dhe me stil sigurisht.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e tridhjetë të Revistës Newsbomb.al, e cila ka dalë në treg prej datës 20 shkurt dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes…

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese