Hapësire reklamuese

Aktualitet

Retë e zeza të tymit: Kompanitë dhe njerëzit që fshihen prej 5 vitesh pas plehrave të Kavajës që digjen në Spille, pagesa miliona USD për pastrimin, mbeturinat nëpër fusha

Shkruar nga Newsbomb

Zhvendosja e mbeturinave në vendgrumbullime të paligjshme, duke u vënë më pas flakën, siç ka ndodhur ditët e fundit ‘nën hundën’ e policisë dhe prokurorisë në Peqin, Spille dhe Gjirin e Lalzit, duke krijuar re të zeza tymi, ka përgjegjës konkretë.

Rrethi i përgjegjësve për këtë krim mjedisor, me pasoja të rënda për shëndetin qytetarëve, mjedisin, turizmin dhe imazhin e vendit, nis që nga kompanitë e kontraktuara nga njësitë vendore për pastrimin e qyteteve dhe njësive administrative përkatëse. Vijon me administratat e bashkive, të cilat duhet të monitorojnë kompanitë që paguhen me paratë publike për pastrimin, agjencitë e shumta për mbrojtjen e mjedisit, dhe policia, e cila ka detyrimin që të procedojë penalisht dhe referojë në prokurori shkelësit e ligjit.

Po cilat janë kompanitë e kontraktuara nga Bashkia e Kavajës për shërbimin e pastrimit të qytetit dhe njësive administrative gjatë viteve të fundit?

Në gusht të vitit 2019, Baskia e Kavajës ka lidhur një kontratë me vlerë rreth 1.6 milionë USD, me kompaninë “ALKO-IMPEX General Construcion”, për pastrimin e qytetit të Kavajës deri në vitin 2022. Kompania, e cila prezantohet si degë e një firme pastrimi në Kosovë, është e lidhur dhe përfaqësohet në Shqipëri nga Arbër Abazi, nipi i deputetit Sadri Abazi. Në rastin konkret, për të ftuar tenderin kanë marrë pjesë të dyja kompanitë “ALKO-IMPEX” në Kosovë dhe “ALKO-IMPEX degë në Tiranë. Oferta fituese është gati se vlera e fondit limit, por problemi qëndron se plehrat e Kavajës, siç e vërtetojnë pamjet e rënda të transmetuara nga Report Tv, sot digjen në Spille.

Përfaqësues të Bashkisë së Kavajës thanë se plehrat që po digjen në Spille janë depozituar më parë dhe se nuk e dihet se kush u ka vënë flakën. Por, nga verifikimet rezulton se Bashkia e Kavajës pastrohet nga “ALKO-IMPEX’ të paktën që nga viti 2016.

Në mars të vitit 2016, “ALKO-IMPEX’ me përfaqësues Arbër Abazin ka fituar tenderin me vlerë 1.4 milionë USD për pastrimin e qytetit. Me mbarimin e kësaj kontrate, kompania ka lidhur një tjetër kontratë me bashkinë, me vlerë edhe më të lartë, ndonëse me afat kohor të njëjtë.

Ndërkaq, në qershor të vitit 2020, Bashkia e Kavajës, ka lidhur një tjetër kontratë tashmë me vlerë rreth 2.5 milionë USD sërish me kompaninë “ALKO-IMPEX General Construcion”, për shërbimin e pastrimit të Golemit për 5 vite. Tenderi është fituar me ofertë pothuajse sa fondi limit, duke u përjashtuar në bllok nga gara të gjitha kompanitë e tjera. Gjithsesi sërish problemi qëndron tek zbatimi i ligjeve për vendgrumbullimin e mbetjeve.

Në kontrata parashikohen specifikime dhe detaje për pastrimin e kontenierëve, por jo vendi i grumbullimit të mbetjeve. Megjithatë legjislacioni për mbetjet ndalon rreptësisht hedhjen e mbeturinave në vende të pautorizuara, duke vënë në rrezik shëndetin e njerëzve, duke ndikuar negativisht mbi vendin përreth, duke shkarkuar erëra të rënda, si dhe duke vënë në rrezik ujërat, ajrin, tokën bujqësore, bimët dhe kafshët, siç po ndodh në Spille me plehrat e Kavajës. Vitin e kaluar Kuvendi ndryshoi edhe Kodin Penal duke ashpëruar dënimet për krimet mjedisore, por sipas statistikave, ndëshkimet janë të papërfillshme.

Ndërkaq, më parë, për pastrimin e Golemit është kontraktuar kompania ‘Korsel’ në pronësi të Maksim Fejzullai, një personazh problematik sa i takon mjedisit. ‘Korsel’ është paguar me 72 711 599 lekë për këtë shërbim, deri në vitin që Bashkia e Kavajës lidhi një kontratë të re me “ALKO-IMPEX”.

Ndërkaq, për pastrimin e njësive administrative Luzi i Vogël, Synej dhe Helmas, Bashkia e Kavajës ka lidhur një kontratë në tetor të vitit 2019, me afat 3 vjet, me kompanitë Enea dhe Leal, në pronësi të Vullnet Dedes dhe Osman Shehut. Më parë, për pastrimin e kësaj njësie administrative janë kontraktuar kompanitë ‘Enea’ SHPK dhe ‘Korsel’ SHPK, në pronësi të të Vullnet Dedes dhe Maksim Fejzullai.

Të paktën që nga viti 2016 janë pothuajse të njëjtët personazhe që kanë marrë miliona euro nga paratë publike për pastrimin e Kavajës dhe njësive administrative, ndërkohë që plehrat digjen në Spille./Report Tv

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu