Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i dorëzoi sot dekretet e emërimit rektorëve të rinj të universiteteve publike, të shpallur fitues nga zgjedhjet e 20 prillit.
Pasditen e sotme në presidencë u organizua ceremonia e posaçme, ku 12 rektorë, që do të drejtojnë për katër vitet e ardhshme institucionet publike të arsimit të lartë në vend, morën zyrtarisht detyrën.
Presidenti Nishani tha gjatë ceremonisë se :Shqipëria është vend kandidat në Bashkimin Europian dhe rinia jonë plot dije mezi pret që t’i bashkangjitet bashkëmoshatarëve të tyre anembanë botës”. “Studentët presin që diplomat e tyre të jenë të një niveli me vendet europiane, detyrë kjo e universiteteve. Universitetet kanë për detyrë t’i mundësojnë ëndrrat dhe shpresat për të rinjtë tanë, për t’i përgatitur sa më mire për sfidat e ardhshme të jetës”, tha ai.
Nishani gjatë fjalës së tij nënvizoi se “reforma në kuadër të arsimit të lartë ka në qendër universitetin dhe studentin”. Kjo reformë, sipas tij, mbetet esenciale për të gjithë shoqërinë tonë. “Autonomia është thelbi dhe është e nevojshme për vendimmarrjen në institucionet e arsimit, në përmbushje te detyrave akademike arsimore”, shtoi ai.
Nishani vuri në dukje se profesorati akademik, ndër vite ka ruajtur pavarsinë nga politika. “Profesioriati i universitetit ndër vite ka ditur të ruajë pavarësinë nga politika, duke u përpjekur të bëjë progres. Universitetet shqiptare sot gëzojnë lirinë e autonomisë, financiare dhe organizative. Liria akademike është thelbësore, të gjitha këto të garantuara përmes votës së të drejtës për vetëqeverisje. Profesorati duket se do të arrijë të sfidojë edhe politikën”, tha ai.
Po ashtu, kreu i shtetit u tregua besimplotë se rektorët e sapozgjedhur do të harmonizojnë inovacionin me shkencën, me synim ecjen përpara.
Rektorët fitues në zgjedhjet e fundit universitare janë: Mynyr Koni (Universiteti i Tiranës), Arben Gjata (Universiteti i Mjekësisë), Andrea Maliqari (Universiteti Politeknik), Bahri Musabelliu (Universiteti Bujqësor), Kastriot Çaushi (Universiteti i Arteve), Agron Cuka (Universiteti i Sporteve), Kseanela Sotirofski (Universiteti i Durrësit), Roland Ziso (Universiteti i Vlorës), Skënder Topi (Universiteti i Elbasanit), Adem Bekteshi (Universiteti i Shkodrës), Bektash Mema (Universiteti i Gjirokastrës) dhe Ali Jashari (Universiteti i Korçës).