Hapësire reklamuese

Politikë

Refuzimi i tretë për negociatat, Eduard Kukan nuk kursehet: BE-ja bëri gabim të rëndë, ka humbur besimin  

Shkruar nga Newsbomb
Ish-eurodeputeti Eduard Kukan

Ish-eurodeputeti Eduard Kukan e ka cilësuar si një gabim shumë të rëndë vendimin e Këshillit Europian për të mos dhënë një datë për fillimin e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Unë mendoj se duhet të flasim me një gjuhë shumë të qartë. Ishte një gabim nga ana e Këshillit për të mos dhënë një datë për fillimin e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ishte një gabim shumë i rëndë, një gabim i madh. Dhe unë mendoj se ne të gjithë jemi pjesë e këtyre pasojave, pasoja negative si rezultat i këtij vendimi”, deklaroi në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, ish-eurodeputeti sllovak Eduard Kukan.

Kukan theksoi se, “ky vendim do të krijojë një atmosferë negative jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por kudo në politikën ndërkombëtare. Kjo do të thotë që Bashkimi Europian ka humbur besueshmërinë dhe kjo është shumë e keqe dhe është shumë e vështirë të riparohen ose të bëhen korrigjime për të fituar përsëri besueshmërinë”.

Kjo, vijoi ai, “është arsyeja pse unë mendoj që ne duhet të ngremë zërin, të flasim me zë të lartë në mënyrë që Këshilli Europian të kuptojë se ky vendim ishte një gabim i madh, të gjithë duhet ta korrigjojmë atë. Përndryshe, ne do të vuajmë, dhe një lloj boshllëku politik do të shfaqet në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Kukan shtoi se, “ka shumë vende të interesuara që me shumë kënaqësi do ta mbushnin atë boshllëk. Kështu që unë mendoj se ne nuk duhet ta marrim atë vendim më mënyrë pasive, duhet të jemi shumë aktiv dhe të drejtë dhe tani si të tilla duhet të sillen të gjitha vendet anëtare dhe organizata ndërkombëtare e BE-së”.

Kukan gjithashtu dha një mesazh të qartë për qeverinë shqiptare për të vazhduar reformat ndërsa përgatitet për anëtarësimin.

“Do të doja të jepja një mesazh shumë të qartë. Qeveria e Shqipërisë duhet të ruajë ambicien europiane, të vazhdojë reformat ndërsa përgatitet për anëtarësimin, sepse ka shumë politikanë dhe shumë vende që mbështesin vazhdimin e procesit të zgjerimit”.

Pra, theksoi Kukan, “përgjigjja më e mirë e këtyre dy vendeve ndaj këtij vendimi negativ është se ata duhet të vazhdojnë të besojnë tek Europa dhe në anëtarësimin e tyre në Bashkimin Europian dhe të vijojnë me procesin e reformave që do t’i çojë ata drejt anëtarësimit në BE”.

Në lidhje me situatën politike në Shqipëri, Kukan nënvizoi se, “në Shqipëri ekziston një traditë që tensioni politik midis partive politike është shumë i lartë, dhe unë jam mësuar me këtë, dhe jam munduar të flas me ta duke theksuar se është në interes të vendit ekzistenca e një situate të qëndrueshme politike, dhe se mënyra europiane për zgjidhjen e problemeve është dialogu dhe kompromisi”.

“Është shumë e vështirë për shqiptarët që t’i bindësh ata të bëjnë kompromis, do të ishte një mrekulli e vogël nëse ata do të bënin kompromis dhe unë mendoj se është përgjegjësi e politikanëve dhe liderëve politikë për t’i treguar botës se ata mund t’i zgjidhin vetë çështjet e tyre, sepse dikush mund t’i ndihmojë ata nga jashtë, por janë ata do të duhet të marrin një vendim”, tha Kukan.

Për reformën elektorale, Kukan theksoi se, “reforma elektorale është e rëndësishme, ka pasur shumë rekomandime nga ODIHR se çfarë duhet të bërë për të patur një sistem zgjedhor më demokratik, kështu që mesazhi im është që politikanët duhet të harrojnë interesat vetjake dhe ata duhet të mendojnë për të ardhmen e vendit dhe kjo duhet të jetë mënyra më e mirë për të vepruar”/ATSH.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese