Kuvendi i Shqipërisë miratoi përbërjen Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore. Nisma u paraqit 9 muaj më parë në parlament, por Komisioni u ngrit vetëm në muajin shkurt 2022.
Katër muaj pas ngritjes dhe vetëm dy muaj nga përfundimi i mandatit të dhënë nga parlamenti partitë ranë dakord edhe për përbërjen, duke jetësuar bazën ligjore për funksionalitetin e tij. Në vendimin 12/2022, pika 2 thuhet “Komisioni ka për detyrë hartimin e ndryshimeve legjislative për reformën zgjedhore, në veçanti trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 25 prillit 2021 dhe për zgjedhjet e mëparshme të patrajtuara, rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për zgjedhjet, të partive politike parlamentare dhe organizatave jofitimprurëse”.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) shpreh shqetësimin se vonesa në vendimmarrjen e Kuvendit dhe në ngritjen e plotë të Komisionit do të ketë impakt negativ në kalendarin dhe produktivitetin e Komisionit për të jetësuar një reformë transparente, të plotë dhe afatgjatë. Asnjë axhendë ditore politike apo zhvillim brenda partive politike e parlamentit nuk duhet të ndikojë në nevojën jetike për një reformë sa më shteruese zgjedhore për zgjedhjet e vitit 2023 dhe ato parlamentare. Ky është një prioritet politik dhe një parakusht për Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në BE.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) si organizatë e shoqërisë civile e specializuar në fushën e zgjedhjeve monitoron për periudhën 2020-2024 Komisionin e Reformës, ecurinë e saj, si dhe aktivitetin e Kuvendin dhe të institucioneve në këtë drejtim. Reforma bëhet për qytetarët dhe në funksion të demokracisë funksionale.
Mbi këtë bazë ISP vlerëson aktin e djeshëm konsensual të parlamentit, por nisur nga përvoja negative e vitit 2020 apelon dy bashkëkryetarët e Komisionit Z.Gjiknuri dhe Z. Alibeaj të zhvillojnë një proces të besueshëm dhe me integritet,
-duke respektuar parimet e konsultimit dhe transparencës,
-duke përcaktuar afate dhe prioritete konkrete dhe publike,
-duke njoftuar në kohë cështjet në shqyrtim,
-si dhe të marrin realisht në konsideratë pikëpamjet, rekomandimet dhe ekspertizën e shoqërisë civile lidhur me reformën zgjedhore.