
Zyrtaret e SHBA kanë njoftuar se një anije në pronësi të Shteteve të Bashkuara është goditur të hënën nga një raketë e shkrepur nga rebelët e lëvizjes jemenase, Huthi, në Gjirin e Adenit.
Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara e konfirmoi sulmin dhe njoftoi se nga sulmi nuk ka të lënduar apo dëme të mëdha dhe se po e vazhdon rrugëtimin.
Firmat e sigurisë Ambrey dhe Dryad Global thanë për Associated Press (AP) se anija e goditur ishte Eagle Gibraltar, një anije për transportimin e mallrave me shumicë.
Agjencia detare e Britanisë së Madhe, UKMTO, e cila i mbikëqyr ujërat në Detin e Kuq, tha se sulmi ndodhi rreth 177 kilometra në lindje të Adenit.
Huthët e kanë shënjestruar këtë korridor jetik në Detin e Kuq nëpër të cilin kalojnë furnizimet me mallra dhe energji nga Azia dhe Lindja e Mesme në drejtim të Kanalit të Suezit dhe pastaj në Evropë.
Forcat britanike dhe ato amerikane ditë më parë i sulmuan objektivat ushtarake të lëvizjes rebele jemenase Huthi, e cila mbështetet nga Irani, duke rritur frikën për zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme. Por pas këtij sulmi, Shtëpia e Bardhë deklaroi se nuk do që të ketë konflikte me Rebelët e Huthit.
Forcat amerikane kryen, po ashtu, sulme ajrore të shtunën ndaj radarëve të rebelëve të Huthit.
Rebelët e Huthit, nga ana tjetër deklarojnë se sulmet po bëhen vetëm ndaj anijeve të ndërlidhura me Izraelin, si përgjigje ndaj luftës në Rripin e Gazës.