Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj mbajti fjalën e tij lidhur me raportin vjetor për vitin 2018 nga Institutit i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.
Mes të tjerash Lleshaj u shpreh se ndonëse nuk ka qenë ministër i Brendshëm në vitin 2018, thekson se nuk ka marrë asnjë kërkesë për të dhënë informacion lidhur me dosjet e dikaturës.
Leshaj theksoi po ashtu se ligji për hapjen e dosjeve është miratuar, ndërsa shtoi se për këtë nuk ka asnjë pengesë dhe se ish drejtori i arkivit në ministrinë e Brendshme është personi që publikon përditë dosje sekrete në media, duke iu referuar studiuesit Dashnor Kaloçi.
Fjala e Lleshajt:
Nuk kërkova fjalën, por më detyroi prapë z. Murrizi të ngrihem, sepse më përmendi emrin. Në fakt e ndjek me shumë vëmendje zotin Murrizi, edhe ju ndjek vërtet me vëmendje, sepse nuk më dukeni shumë konvencional dhe kam vënë re që krijoni vëmendje kur flisni këtu në sallë, por pashë dhe me shumë kujdes (ndërhyn pa mikrofon deputeti Myslim Murrizi)..nuk jam në zonën tuaj elektorale, nuk jam nga Lushnja, do t’ju kisha votuar me kënaqësi, por mund të spostohem në Lushnje për hirin tuaj.
E pashë që e kishit lexuar me shumë vëmendje raportin, mbanit mend dhe numrin e faqeve, por kishit harruar një gjë thelbësore: Çfarë viti i referohet raporti? Raporti është i vitit 2018 dhe duhet t’ju them që në vitin 2018 unë nuk kam qenë Ministër i Brendshëm (ndërhyn pa mikrofon deputeti Myslim Murrizi). Ju duhet ta kishit bërë edhe aq analizë, aty mund të jenë lexuar shumë pasaktësi, por desha të them këtë që, nuk po bëj dalje nga përgjegjësia si Ministër i Brendshëm, por meqenëse mu referuat me emër do t’ju them që në atë kohë, në vitin 2018, të cilit raporti i referohet, unë nuk kam qenë Ministër i Brendshëm dhe sigurisht nuk mbaj mend deri më sot të kem marrë qoftë edhe një kërkesë nga Instituti për t’iu përgjigjur për informacion. Pastaj do t’ju them edhe një gjë tjetër. Përgjithësisht informacionet që lidhen me arkivin e Ministrisë së Brendshme dhe me Sigurimin e Shtetit sot janë të gjitha të njohura, kush do t'i dijë ato, vetëm se duhen kërkuar si informacion. Informacioni për dosjet e komunizmit tashmë është publik, kushdo mund të njihet me dosjen e tij, mediat, universitetet, studentët, gjithkush mund të shkojë, sepse kam qenë një nga autorët që kanë përgatitur ligjin për hapjen e dosjeve, i cili u miratua me një vonesë absurde historike, atëherë kur dosjet nuk kishin më kuptim, sepse shumica e shqiptarëve sot, që jetojnë në Shqipëri kanë lindur pas ‘90 nuk kanë më ndonjë lidhje personale dhe ligji për miratimin e hapjes së dosjeve të sigurimit të shtetit u miratua pasi ishin bërë të panevojshme këto gjëra, është miratuar para pak vitesh. Por në fakt ai ligj i hap dosjet, kushdo që ka vullnet, kush di për të kërkuar, sepse po të hysh në një mal me dosje do dhe pak dituri, e ka mundësinë të kërkojë.
Për sa i përket Ministrisë së Brendshme, pra pjesën time personale e shkëputa, se nuk kam qenë Ministër i Brendshëm në vitin 2018, por sa i përket Ministrisë së Brendshme, dua të them vetëm një gjë: nuk ka asnjë pengesë jo Instituti, po as qytetarët, për t'u njohur me dosje që tashmë, unë nuk di ndonjë që nuk është bërë publike. Ju e dini që ish-drejtori i Arkivit së Ministrisë së Brendshme është një ndër personat që publikon çdo ditë dosje sekrete, në media, në televizione etj. Pra s’ka mbetur asgjë, por për t’ju shuajtur kuriozitetin, hajdeni kur të doni ta vizitoni, edhe ju edhe Instituti. Faleminderit!