“U zyrtarizua vizita e Sekretarit të Shtetit John Kerry në Tiranë:14 shkurt; vizitë shumë e rëndësishme në një kohë sfidash të përbashkëta!” Kështu shkruan kryeministri Edi Rama për ardhjen e Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry.
Kerry fillimisht do të mbërrijë në Munih të Gjermanisë më 10 shkurt për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë dhe 4 ditë më pas do të niset drejt Tiranës. Në Shqipëri, zyrtari i lartë amerikan do të takohet me krerët e institucione kryesore për të diskutuar për procesin e integrimit euro-atlantik të vendit dhe marrëdhëniet dypalëshe.
Tirana do të jetë kryeqyteti i vetëm që Kerry do të vizitojë në Ballkan gjatë kësaj periudhe, kjo edhe për arsye se pak muaj më parë ai zhvilloi një mini-tur në disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor.