Kryeministri Edi Rama, ministrja Elisa Spiropali dhe ministri Arben Ahmetaj, kanë bërë ‘xing’ sot veshur me të bardha në kantierin e Rindërtimit në Vorë.
Dielli ia ka bërë pak të vështirë inspektimin në terren mirëpo, i kishin marrë masat duke mos hequr për asnjë moment syzet e diellit, në dukje goxha të shtrenjta.
Nga ana tjetër, Ahmetaj i ka ‘bërë ballë’ diellit dhe i ka hequr syzet për të qenë sa më i vërtetë në komunikimin me kamerat por edhe me shefin e qeverisë të cilin e informoi për punën e bërë deri tani.
“Edhe në Vorë është hapur kantieri i Rindërtimit, fillimisht me infrastrukturën e re nëntokësore e rrugore dhe së shpejti me prishjen e të gjithë pallateve e godinave në zemrën e bashkisë, një hapësirë afro 10 hektarë, ku qendra e Vorës do të rilindë me standarde të reja e me një pamje krejt të re.
404 familjet që humbën apartamentet dhe shtëpitë natën e 26 nëntorit e sot vazhdojnë të jetojnë me qera të paguara nga qeveria deri në përfundim të rindërtimit, do të kthehen në një shtëpi më të bukur e më të fortë dhe në një lagje shumë herë më të bukur e më miqësore për të gjitha moshat”, bën me dije Rama.