Hapësire reklamuese

Aktualitet

Rama shtyu gazetaren se s’kishte maskë, reagon Unioni i Gazetarëve Shqiptarë: Rast i paprecedentë dhe akt i dhunshëm nga kryeministri

Shkruar nga Newsbomb
Kryeministri Rama shtyn gazetaren sepse ishte pa maske

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar pas ngjarjes së sotme ku kryeministri Edi Rama i tha gazetares Edona Haklaj që të shkonte të merrte maskën, por duke qenë se në fillim ajo hezitoi, ai e shtyu dhe e largoi.

Unioni e quan një rast të paprecedentë dhe një akt të dhunshëm e aspak etik nga kryeministri, ndërsa shton se proteson ndaj një gjesti të tillë.

“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh shqetësimin e thellë për këtë situatë dhe klimë. Dënojmë çdo tendencë politizuese, çdo  lloj agresioni dhe presioni ndaj gazetarëve dhe reporterëve dhe kërkojmë që partitë politike të respektojnë vullnetin qytetar dhe ndërgjegjen qytetare të gazetarëve profesionistë dhe mediave plurale në vend si dhe legjislacionin në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe raportimit”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Unionit të Gazetarëve.

Reagimi i plotë:

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Gjesti dhe prekja fizike e gazetares Edona Haklaj nga Kryeministri,  një rast i paprecedent

    Tiranë më 13.03.2021

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë u njoh sot  me sekuencën audiovizive dhe reagimin për shkak të shtyrjes, të reporteres së televizionit Fax News, koleges Edona Haklaj nga kryeministri i vendit Edi Rama ndërsa po zhvillohej një komunikim me mediat dhe reporterët në Tiranë. Gjesti i shtyrjes fizike për shkak të mungesës së maskës mbrojtëse nga ana e reporteres, përbën një precedent të rrallë dhe në vetvete, ka peshën e një incidenti. Reporterja Haklaj në sqarimin publik në faqen vetiake të fb, përmes një norme të lartë etike ndien përgjegjësinë për mungesën e përkohshme të maskës dhe dënon veprimin e kryeministrit.

Një gjest i tillë prej Kryeministrit të vendit përbën në vetvete një akt të dhunshëm dhe aspak etik. Ditë më parë prepotenca verbale e kryeministrit Rama u ekspozua edhe në komunikimin me reporteren Ambrozia Meta, ndërsa zhvillonte një tjetër konferencë për shtyp me gazetarët.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë proteston ndaj gjesteve dhe akteve të tilla, aq më tepër që vijnë prej kryeministrit të vendit dhe në pikun e fushatës elektorale ku siç po vërrejmë me shqetësim, skena  politike dhe elektorale po tensionohet skajshmërisht. Akte të tilla, reagimet e ngutshme politike si dhe avokatitë e ekzagjeruara nga subjekte dhe protagonistë politikë ndaj raportimeve të mediave dhe gazetarëve, fatkeqësisht po rikthejnë kuotën tronditëse të politizimit të medias dhe të shtyrjes më tej të ndarjeve të reporterëve dhe mediave në “pro dhe kundër” palëve elektorale.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh shqetësimin e thellë për këtë situatë dhe klimë. Dënojmë çdo tendencë politizuese, çdo  lloj agresioni dhe presioni ndaj gazetarëve dhe reporterëve dhe kërkojmë që partitë politike të respektojnë vullnetin qytetar dhe ndërgjegjen qytetare të gazetarëve profesionistë dhe mediave plurale në vend si dhe legjislacionin në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe raportimit.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh solidaritetin e fuqishëm me koleget dhe gazetarët në terren, duke u kërkuar shtimin e kurajos, rritjen e këmbënguljes për raportim të thelluar dhe imponim të transparencës dhe besueshmëri të ofertave elektorale nga ana e subjekteve elektorale, aktorëve dhe kandidatëve që pretendojnë të marrin votëbesimin e qytetarëve në zgjedhjet e 25 prillit 2021, pamvarësisht se cilës palë i përkasin.

Organizata jonë përveç denoncimit të rasteve, përgjatë gjithë periudhës së mbetur të kësaj fushate është në kontakte me organizata simotra ndërkombëtare dhe institucione që investohen për lirinë e medias dhe sidomos atë të gazetarëve. Dy rastet në fjalë janë pjesë e këtij raportimi dhe arsye për shumëfishim të reagimeve tona.

Zyra e Shtypit

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë  

Status në fb i gazetares Edona haklaj

Sot, për shkak të profesionit që kam rastisa si rrallëherë pranë kryeministrit Rama. Rastisa dhe pa maskë.

Për shkak të rrethanave që ndodhin në raportimet live, e që jo gjithmonë janë favorizuese për të qënë gati me mikrofonin, kamerën, e maskën.

Kryeministrit,me të drejtë i bëri përshypje mungesa e maskës sime, (edhe pse përdora shallin si barrierë mbrojtëse) dhe pa të drejtë më shtyu në formë urdhëruese për të shkuar dhe për të marrë maskën Unë i përkas kulturës, dhe reagimi im ndaj liderit suprem ishte në te njëjtën formë, me një largim të qetë, sikur asgjë nuk ndodhi.

Duke e njohur mirë kryeministrin, marrëdhënien e tij me medien, nuk doja që ai të gjente një rast për tu grricur, as një arsye për tu bërë lajm.

Ama, unë me veprimin tim sot mund t’i kem një borxh shtetit për shkeljen e aktit administrativ për mosmbajtjen e maskës, ndërsa kryeministri me veprimin e tij ka shumë borxhe për të larë.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll