Kryeministri Rama ka “shpërthyer” në deklarata dhe akzua të forta ndaj presidentit Ilir Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, përsa i përket çështjes së detit. Ai është shprehur se ka qenë Berisha e Meta që ia kanë dhënë Greqisë detin, ndërsa tha se PS e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese atë marrëveshje dhe ka fituar 9 me 0.
“Ne do të ulemi dhe përgatitemi sic e kërkon procedura për të arritur në një zgjidhje të drejtë. Ne duam një marrëveshje të drejtë sepse marrëveshja e mëprashme ka qenë e padrejtë për Shqipërinë. Të tjerat janë skandale mendore, shprehje e ligësisë që furnizon injorancën me qëllim dhe në funksion vetëm të pushtetit të ca mediokërve që duan me çdo kusht plaçkë në Shqipëri.
Shqiptarë këta, shqiptarë këta, e duan Shqipërinë plaçkë këta. Këtyre nuk iu shkon një sekondë tju prek gjumin as deti, as ajri, e as toka, por vetëm plaçka. Ata janë plaçkitës të lindur. E kanë treguar sa herë kanë pasur pushtet. Kush bie pre e tyre thjeshtë është dembel nga trutë e kokës. Nuk ka asnjë mundësi”, tha Rama në konferencë me gazetarët.
Më tej, kryeministri u shpreh se ka rënë dakord me qeverinë e tanishme në Greqi për të çuar çështjen e detit në gjykatën ndërkomëbtare, sepse me qeverinë e kaluar s’është arritur dakordësia.
“Në Gjykatën Kushtetuese shkova unë dhe Partia Socialiste. Gjykata me rezultatin 9 me 0 e ka rrëzuar atë marrëveshje. Tani çështja është rihapur falë këmbëngulljes dhe durimit tonë në komunikimin me palën tjetër dhe falë vizionit për të ardhmen.
Me qeverinë e kaluar s’kemi rënë dakord ta çojmë çështjen e detit në drejtësinë ndërkombëtare. Kurse me këtë qeveri kemi rënë dakord që ta cojmë në duart e drejtësisë ndërkombëtare”, shtoi ai.