Hapësire reklamuese

Politikë

Rama për Euronews Serbia: Kosova të shohë drejt së ardhmes, padia për gjenocid është vendim i pavarur i Prishtinës

Shkruar nga Newsbomb
Rama për Euronews Serbia: Kosova të shohë drejt së ardhmes,

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shprehur rezervat e tij ndaj planit të Kosovës për të paditur Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për gjenocid.

Në një intervistë për Euronews Serbia, Rama ka nënvizuar se palët duhet të fokusohen tek e ardhmja për të zgjidhur njëherë e mirë problemet e së shkuarës.

Por megjithatë, vendimi përfundimtar sipas tij i takon klasës politike në Prishtinë dhe jo Tiranës zyrtare.

“Së pari, kjo është një çështje shumë e komplikuar në aspektin e përmbajtjes ligjore. Së dyti, unë mendoj dhe e kam thënë publikisht, në bisedime dhe po jua them edhe juve, ne duhet të fokusohemi tek zgjidhja e këtij konflikti dhe tek e ardhmja. Dhe ne duhet të mendojmë më shumë se sa vite mund të vazhdojmë të humbim duke mos zgjidhur këtë konflikt. Nuk ka fitues pa zgjidhje. Gjenocid është një fjalë shumë mirë e përkufizuar në arkitekturën juridike të njerëzimit dhe mendoj se do të ishte jo një iniciative që do të sillte rezultate, që do të ndihmonte paqen dhe bashkëpunimin, por është një vendim i pavarur i tyre dhe jo i imi apo i shqiptarëve”, tha Rama.

I pyetur nëse do ta mbështeste padinë në rast se Kosova ia kërkon një gjë të tillë, Rama ka sugjeruar se pala kosovare, pavarësisht së drejtës autonome për të vendosur, duhet më parë të ndjekë një shteg konsultimesh me aleatët dhe partnerët e saj.

“Ne kemi qenë shumë të qartë, më shumë se njëherë. Parlamenti shqiptar ka miratuar shumë rezoluta në historinë e tij dhe gjëja e fundit për të thënë, dhe është shumë e rëndësishme, është se ne nuk jetojmë në një botë ku jemi të vetëm. Ndaj kemi partnerë dhe aleatë. Vetë Kosova është një realitet i ri që është rezultat i përpjekjeve madhore brenda dhe jashtë Kosovës. Ndaj kjo lloj ideje madhore apo vendime madhore nuk duhet të merren vetëm pse dikush mendon  ashtu, por duhen marrë përmes një shtegu të qartë konsultimesh dhe duke dëgjuar partnerët dhe aleatët dhe deri më sot nuk kam dëgjuar askënd të mbështesë këtë ide. E kam fjalën për partnerët dhe aleatët”, shtoi ai.

Duke iu përgjigjur interesit të Euronews Serbia, Rama ka theksuar se e ardhmja e Ballkanit perëndimor është në BE dhe për ta arritur këtë palët, sipas tij, duhet të bashkëpunojnë për të tejkaluar dallimet mes tyre.

Për Ramën, Minischengen-i është shembulli më i mirë i këtij bashkëpunimi./Euronews

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll