Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Rama për AFP: Jemi ende në dashuri me Europën, por nuk na pëlqejnë vonesat

Shkruar nga Newsbomb

Kryeministri Edi Rama thotë se Europa po tregohet e vakët me vendet e Ballkanit Perëndimor, për sa i përket politikave të zgjerimit.

Në një intervistë për agjencinë mediatike franceze AFP, Rama tha se pasiviteti i BE-së po i dëmton shtetet ballkanike, të cilat sot nuk janë më mirë se sa ishin dy vite më parë.

Në fund të intervistës, Rama tha se “ne jemi ende në dashuri me Europën, por s’na pëlqejnë vonesat”.

Shkrimi i plotë i Agence France-Presse:

Vendet e Ballkanit po lëndohen nga procesi i zvarritur i integrimit me Bashkimin Evropian, ku shtetet anëtare janë duke u lodhur nga zgjerimi, tha kryeministri Edi Rama në një intervistë për AFP.

"Unë besoj se (Ballkani Perëndimor) nuk është më mirë sot sesa ishte dy vjet më parë," tha Kryeministri nga zyra e tij në Tiranë, duke shtuar se ai s’ka "asnjë dyshim" se kjo lidhet me rritjen e pasigurisë në lidhje me angazhimin e BE-së ndaj rajonin në tërësi.

Populizmi në rritje, euro-skepticizmi dhe trazira të tjera, sipas Ramës kanë bërë që Europa të jetë “e vakët” sa i përket zgjerimit të BE-së.

Por "mungesa e qartësisë" ka pasoja për Ballkanin e brishtë, shtoi ai, duke kujtuar një paralajmërim që Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker dha vitin e kaluar.

Nëse "krijohet përshtypja se nuk jemi serioz në ofrimin e perspektivës për anëtarësim në BE në Ballkanin Perëndimor, atëherë mund të shohim më vonë - dhe ndoshta edhe më shpejt - atë që pamë në Ballkan në vitet 1990", tha Juncker, duke iu referuar një dekade konflikti brutal si ajo e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Ndërsa Rama nuk përdori formulimin dramatik "BE ose luftë", ai tha se është i nevojshëm një "thellim" i angazhimit evropian për të trajtuar tensionet mes fqinjëve ballkanikë.

Rama kujtoi këtu tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

"Ne nuk do të kishim këto tarifa 100 për qind nëse do të kishte liberalizim të vizave," tha Rama.

Ajo që Ballkani ka nevojë, tha ai, është "një marrëdhënie me një Evropë ku ne nuk jemi peng i dinamikës së brendshme të shteteve anëtare".

Sa i përket vendit të tij prej rreth 2.8 milionë, "meriton" hapjen e premtuar të negociatave të pranimit në qershor "pa dyshim", tha Rama, raporton AFP.

Rama foli edhe për situatën në Shqipëri.

"Krimi, krimi, krimi, sigurisht që kemi një problem krimi, por jo më shumë se vendet e tjera që janë madje anëtarë të Bashkimit".

Por dëshira për një të ardhme brenda bllokut nuk është zvogëluar në vendin e tij, pohon ai.

"Ne jemi ende në dashuri me Evropën. Ky është problemi, prandaj nuk na pëlqejnë vonesat".

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll