Një ditë pasi kryeministri Edi Rama vuri alarmin te të vetët për SPAK dhe BKH, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani zhvilloi ditën e sotme një takim me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Teksa kreu i qeverisë udhëzoi Sekretarët e Përgjithshëm të ministrive si dhe drejtorët e Përgjithshëm si duhet të veprojnë me prokurorët e SPAK dhe agjentët e BKH-së, Dumani nga ana tjetër ka shpalosur para diplomatëve arritjet e bëra deri më tani nga organi i cili ai dhe drejton.
Gjatë këtij takimi Dumani prezantoi para ambasadorëve punën e bërë përgjatë kësaj kohe, nga goditja e korrupsionit në nivele të larta deri te goditjet ndaj grupeve të strukturuara kriminale që kanë bërë të mundur arrestimin e personave të njohur të botës së krimit. Gjithashtu, kreu i SPAK mësohet se u ka treguar diplomatëve edhe për “dosjet e nxehta” që ka në dorë, për të cilat vijon ende puna.
LEXO EDHE: Nga puna e bërë te dosjet e “nxehta”, Dumani “rrëfehet” para diplomatëve
Në vijim të këtij takimi Ambasada Gjermane përgëzoi Dumanin dhe ekipin e tij për këto arritje, teksa theksoi se do të vijojnë ta mbështesin më tej punën e tij.
"Ditën e sotme, Altin Dumani, kreu i Prokurorisë së Posaçme SPAK, prezantoi punën e tij para ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së në Europe House. SPAK është pjesë e pazëvendësueshme e reformave në drejtësi dhe tashmë ka treguar sukses të madh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne e përgëzojmë Altin Dumanin dhe ekipin e tij për këto arritje dhe do të vazhdojmë ta mbështesim mëtej punën e tij" ,shkruan Ambasada gjermane, në një postim të bërë më herët në “ Facebook”.
LEXO EDHE: Altin Dumani prezanton punën e SPAK para ambasadorëve të vendeve të BE
Ndërkohë, kujtojmë se në takimin e djeshëm në ambientet e Kryeministrisë, kreu i qeverisë u kërkoi vartësve të tij që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos lejojnë që agjentët e BKH dhe prokurorët e SPAK të tejkalojnë kompetencat.
LEXO EDHE: Rama mbledh drejtorët dhe Sekretarët e Përgjithshëm, mesazhi për SPAK dhe BKH