Hapësire reklamuese

Politikë

Rama i vendosur për amnistinë: Po i bëhen goditje nën brez me porosi. Mungesë respekti nga ndërkombëtarët që na mendojnë si vend me bisht

Shkruar nga Newsbomb
Rama i vendosur për amnistinë: Po i bëhen goditje nën brez

Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur amnistinë fiskale, duke thënë se shumë “goditje nën brez” që i janë bërë kësaj nisme, disa herë edhe “me porosi”, janë marrë në konsideratë dhe janë shqyruar nga maxhoranca.

Rama tha se ideja e amnistisë është e vjetër, por ajo mund të zbatohet vetëm sot, pasi Shqipëria i ka të gjitha institucionet e duhura për të garantuar realizimin e saj.

Duke iu përgjigjur ndërkombëtarëve, Rama tha se vendi ynë po paguan një faturë të shtrenjtë për shkak të luftës në Ukrainë, që është fatura e energjisë elektrike. Kreu i qeverisë u shpreh se kjo kosto mund të bëhet e papërballueshme nëse lufta vazhdon.

“Dhe që t’i vish Shqipërisë dhe t’i thuash që amnistia është diçka e papranueshme, kjo është mungesë respekti”, u shpreh Rama.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Goditjet nën brez, në ndonjë rast edhe të porositura kundër amnistisë i kemi analizuar, për këtë arsye unë kam ftuar këtu edhe zv-sekretaren e Këshillit të Ministrave, e cila është në të njëjtën kohë edhe juriste, për të bërë një paraqitje të shkurtër të këtyre kritikave thelbësore, dhe të versionit tonë në raport me këto kritika.

Unë dua të them disa gjëra, dua t’i kujtoj partnerëve tanë ndërkombëtarë që bota është në luftë, Shqipëria është pjesë e kësaj lufte, dhe ndryshe nga shumë vende të tjera, Shqipëria ka marrë një vendim me një kosto shumë të lartë, një kosto e cila, nëse lufta zgjat, mund të bëhet tërësisht e papërballueshme. Ky vendim është që fatura e energjisë, e cila në tregun kombëtar po i afrohet 500 eurove, nga 50-60 që ishte përpara, të mos reflektohet në faturën e energjisë së familjeve dhe biznesit të vogël. Nga dalin këto para, ndërkohë që ne jemi shumë të vetëdijshëm që paketa jonë e mbështetjes nuk ka zgjidhur të gjithë hallin. Dua t’ju kujtoj që ideja e amnistisë është një ide shumë e vjetër në Shqipëri, nuk është e re. Dhe asnjëherë nuk është materializuar si duhet nga një presion i brendshëm dhe i jashtëm, që besoj ka pasur arsye që sot nuk ekzistojnë më. Sot Shqipëria ka një sërë strukturash që mund të garantojnë me efikasitet, implementimin. Dhe ne nuk e kemi menduar sot, por që ditën e parë që kemi ardhur në qeveri, por nuk e kemi propozuar se kemi qenë të vetëdijshëm që ishte një ide të cilës nuk i kishte ardhur koha.

Propozimin e parë e kemi bërë pasi na ra një gjëmë e madhe në kokë siç ishte tërmeti. Qeveritë kur angazhohen në një amnisti, angazhohen në funksion të thithjes së parasë, dhe nxjerrjes nga e zeza në të bardhë. Dhe që t’i vish Shqipërisë dhe t’i thuash që amnistia është diçka e papranueshme, kjo është mungesë respekti. Respekti reciprok është A-ja e punës time në funksion të drejtimit të Republikës së Qeverisë së Shqipërisë. Por ta trajtosh Shqipërinë si vend me bisht, ndërkohë që amnistia bëhet në të gjitha vendet që ne na japin mësime, kjo nuk është asgjë e drejtë, asgjë e duhur.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu