Hapësire reklamuese

Aktualitet

Rama i ashpër me koordinatorët e biznesit: Jeni autoritet i qeverisë, do mbani përgjegjësi dhe nuk do t’ju falim, mua më shajnë me libër shtëpie

Shkruar nga Newsbomb
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar ditën e sotme programin e asistencës antiburokratike për çdo sipërmarrës vendas e të huaj, në platformën e Bashkëqeverisjes.

Rama tha se çdo koordinator duhet të marrë vetë autoritetin dhe opërgjegjësinë dhe duhet të zgjidhë çdo problem apo kërkesë të drejtuar nga sipërmarrësit.

“Çdokush që është koordinator në kabinetin e ministrit për biznesin duhet të marrë menjëherë autoritetin dhe përgjegjësinë për të qenë në krye të detyrës 24 orë në 24 dhe duhet të jetë pika e referimit, pa humbur kohë duke pritur te dera e ministrit për të gjetur kohë ministri.

 Koordinatorët e platformës duhet të kenë parasysh se nuk janë aty për të bërë sekretarin, por autoritet i qeverisë për të bërë ndërhyrje, me mbështetjen e ministrit përkatës. Në fillim për çdo gjë duhet t’i referoheshin ministrit dhe ministri e neglizhonte ndonjëherë, por tani duhet t’i merrni vetë në dorë”, tha kryeministri, ndërkohë që me tone të ashpra paralajmëroi se kushdo që vonon raportimin në ministri më shumë se 10 ditë do të mbajë përgjegjësi.

“Deri dje ishte legjendë se biznesi paguante për ta nxjerrë nga bodrumi çështjen, kishte tarifë, sot nuk është kështu, por sot është koha që vonesat të eleminohen dhe ky eksperiment na jep mundësinë që ta bëjmë këtë kapërcim të madh. 10 ditëshi është shumë për biznesin por kalimi i 10 ditëshit është në radhë të parë përgjegjësia e secilit prej koordinatorëve dhe në rast se vërehet se 10 ditëshi ka kaluar dhe koordinatori nuk e ka raportuar kjo është përgjegjësi mbi të dhe është e pafalshmme”, theksoi kreu i qeverisë, ndërsa i tregoi koordinatorëve se disa njerëz e shajnë edhe me libër shtëpie, por kjo është rruga që ka zgjedhur.

Pse duhet të presë sipërmarrësi ndërkohë që duhet të vrapojmë ne dhe t’i themi shumë faleminderit që vendose të bësh një tjetër investim në vendin tonë. Një biznes i vogël, i mesëm apo i madh është pasuri kombëtare dhe do të bëjmë çdo gjë ta mbrojmë sot këtë pasuri.

Nuk dua që fjalia e fundit të jetë e hidhur por dua ta them edhe këtë. Dikush që nuk do ta bëjë punën si duhet nuk do të mbetet aty ku është, ta kenë të qartë dhe ju lutem shumë maksimumin e përkushtimit dhe kur lodheni vetëm kujtohuni për mua se sa herë më shumë mesazhe dhe komunikime do të bëj me njerëzit. Dhe kujtohuni dhe për faktin që komunikimi me njerëzit do të jenë lutje të tyre që t’i ndihmoni t’i mbështesni, unë i kam dhe me libër shtëpie të shoqëruar hera herës, por kjo është një zgedhje dhe nuk ka gjë më fisnike dhe privilegj më të madh sesa të jesh në pozicionin që të ndihmosh të tjerët, të mbështesësh të tjerët dhe kjo nuk është propagandë, kjo është e lidhur me thelbin e ekzistencës sonë si njerëz”, deklaroi Rama.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll