Kryeministri Edi Rama mbrëmjen e sotme në Euroneës Albania ka folur edhe për ngjarjen e djeshme në Kavajë, ku sekretari i PD u plagos me armë zjarri.
Ai tha se ajo ishte një zënkë ordinere që u përdor politikisht nga Partia Demokratike, ashtu siç ka ndodhur gjithmonë.
“Ngjarja në Kavajë ishte zënkë ordinere dhe nuk kishte asnjë lidhje me asnjë komponentë të fushatës elektorale dhe u shfrytëzua direkt nga PD siç ka ndodhur gjithmonë. Këtë herë nuk ishte Sali Berisha, por Lulzim Basha që është një kukull dhe pastaj doli dhe Ilir Meta që foli si prokuror”, tha Rama.
I pyetur për rolin e Bashës si lider i opozitës, kryeministri e cilësoi kryedemokratin si një “bedel” të Sali Berishës, një term që përdoret për të treguar atë që shkonte në vend të një tjetri në ushtri ose në punë të detyruar kundrejt një pagese.
“Të marrësh përsipër që të përdorësh atë incident banal për të ngritur tymnajë që këtu po bëhet luftë kundër opozitës është thjesht një bedel i Sali Berishës, që e ka bërë gjithë jetën këtë punë që nga bomba te Vefa, deri tek vrasja e Azem Hajdarit dhe deri tek gjërat më banale që i ka kthyer gjithmonë në gjera politike. Ku është risia këtu, ku është njeriu i ndryshimit”, deklaroi Rama.