Kryeministri Edi Rama ka firmosur sot shkarkimin nga detyra të drejtorit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Agim Ismailin.
Vendimi për shkarkimin e Agim Ismailit, është marrë një javë më parë, 15 Nëntor. Drejtori i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, është shkarkuar nga detyra, vetëm tetë muaj pasi u emërua. Ismailit ju besua ky post pasi paraardhësja e tij Dallëndyshe Bici u emërua në krye të Kadastrës Shqiptare.
Shkarkimi i Ismailit ka ardhur pas propozimit të ministrit të Brendshëm, Taulant Balla.
Mësohet se vendimi ka motivacion zyrtar, që lidhet me performancë të ulët dhe pas ankesave të shumta që qytetarët dhe bizneset kanë pasur në adresë të tij për vendime arbitrare.
Ai ka mbajtur për disa vite postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe do të mbahet mend si drejtuesi i parë që implementoi sistemin e izolimit të rreptë të të burgosurve me rrezikshmëri të lartë, “41 BIS”.
Agim Ismaili ka mbajtur dhe postin e drejtuesit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe atë të nëndrejtorit në Agjencinë kundër Pastrimit të Parave. Por, puna në krye të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit ka zgjatur më pak se të tjerat për Agim Ismailin.
Më herët, Newsbomb.al njoftoi se në krye të IKMT-së do të emërohet Ervin Hoxha, i cili aktualisht është në krye të Shërbimit të Provës.
Lexo këtu: Agim Ismaili shkarkohet nga IKMT, në vend të tij Ervin Hoxha i Shërbimit të Provës
Hoxha e mori këtë detyrë 1 vit e gjysmë më parë, kur në krye të Ministrisë së Drejtësisë shkoi Ulsi Manja dhe tashmë duhet ta lërë, për të zënë vendin e lënë bosh nga shkarkimi i Agim Ismailit në krye të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
Ndërkohë, surprizë është emri i drejtuesit të ri të Shërbimit të Provës, institucion i cili pa për mision mbrojtjen e komunitetit dhe parandalimin e recidivizmit (përsëritjes së veprës penale), përmes risocializimit të shkelësve të ligjit në shoqëri.