Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg po flet në një konferencë shtypi pas sulmit raketor ndaj Polonisë që u shënua ditën e djeshme, ku humbën jetën dy persona.
Ai u shpreh se analizat paraprake tregojnë se incidenti është shkaktuar nga një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase, e cila po mbrohej nga sulmet me raketa të Rusisë.
Sekretari i NATO tha se nuk ka indikatorë që të tregojnë se Rusia po përgatit veprime ushtarake sulmuese kundër NATO-s.
“Më lejoni të jem i qartë, ky nuk është faji i Ukrainës. Rusia mban përgjegjësinë përfundimtare ndërsa vazhdon luftën e saj të paligjshme kundër Ukrainës.
Nuk ka asnjë indikacion se raketa ishte rezultat i një sulmi të qëllimshëm ose se Rusia po përgatit veprime ushtarake sulmuese kundër NATO-s. Aleatët shprehën solidaritetin e tyre me Poloninë dhe“e bënë të qartë se ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën në të drejtën e saj për vetëmbrojtje”, tha ai.
Shefi i NATO-s i bëri thirrje Rusisë që të ndalojë këtë luftë të pakuptimtë dhe tha se aleanca qëndron e bashkuar.